Rama: Qasja unike arkitekturore e studios japoneze, vlerë e shtuar për Butrintin

Studioja e arkitektit japonez me famë botërore “Kengo Kuma” u shpall dje fituese e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se “qasja unike arkitekturore e studios japoneze do të jetë një vlerë e shtuar për Parkun Kombëtar të Butrintit”.
“Përfshirja e arkitektit të madh Kengo Kuma në rrugën tonë të transformimit rrënjësor të Shqipërisë është një tjetër konfirmim i përmbysjes së imazhit të vjetër të vendit tonë dhe i rritjes së një reputacioni dinjitoz ndërkombëtarisht”, theksoi Rama.
“Kengo Kuma and Associates” u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Studioja fituese u përzgjodh për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët.

I shpallur nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, konkursi ndërkombëtar i qendrës së vizitorëve u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe u organizua nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës nga kompania britanike Malcolm Reading Consultants.

Kjo qendër, e denjë për të mikpritur vizitorët, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të tyre do të respektojë së pari vlerat e jashtëzakonshme universale jo vetëm të zemrës arkeologjike, por të të gjithë Parkut Kombëtar.