Kujtimet e mia për Sarandën, ngjitur me zyrën ku “kollej” Naimi

Nga Kristo Mertiri

Të vetmen dekoratë që më është akorduar si gazetar në “Bashkimi” gjatë kohës së monizmit dhe që e ruaj bashkë me ca letra të mëmës sime në arkivin personal, është ajo “Naim Frashëri”.

Duke biseduar me mikun e hershëm Stefan Qirjako, një nga ish drejtuesit e pushtetit lokal të Sarandës, kujtuam edhe ca gjëra të ëmbla e të tharta nga fillimvitet ’80 të shekullit që shkoi.

Burrë i zoti në profesion, organizator i palodhur, i drejtë dhe fjalëmbajtës serioz me qytetarët. Ishte njeriu që u angazhua menjëherë për gjetjen e një zyre modeste buzë detit (as 9 metra larg tij ! ).

Atëhere u tha “përkohësisht”, në katin e parë të Muzeut të Arsimit atje ku shpesh në dimër përplaseshin erërat, dallgët dhe valët e shkumëzuara. Kishte qenë një tip magazine e vogël me materiale muzeale etj. Disa mangësi i riparoi duararti Kico nga Piluri, usta i vjetër në qendrën ekonomike(nuk e di ku ndodhet, por i kam borxh një shkrim për një histori drithëruese me ish punonjës të Sigurimit të Shtetit, të cilën nuk ia rrëfeva kurrë. Nuk doja ta alarmoja e lëndoja, por besoj e shpëtova…).

Para ca kohësh, miqtë e mi Luani, Micua e Bardhi më bënë një surprizë të këndshme : Më dërguan si dhuratë një fotot të madhe bardhë e zi, vendosur në kornizë të posacme. Ishte “selia” e thjeshtë e korrespondentit të “Bashkimit” që sapo kish mbushur 3 dekada jetë.

U emocionova jo vetëm unë në familje. Kur zgjohem në mëngjes dhe bie gjumë mbrëmave vonë, shikoj përditë atë vend pune të përgatitur enkas përkohësisht. Ashtu e varur në murin e dhomës në Tiranë, më flet vazhdimisht e më cingëris mbresat, ngjarjet, episode, debatet me kolegë, punëtorë, zyrtarë, fshatarë e intelelktualë. Gjallojnë gëzime, brenga, por edhe hidhërime, ankthe e maraze.

Andje janë nisur dhjetra e dhjetra shkrime për Sarandën, por edhe për Gjirokastrën, Tepelenën e Përmetin. Janë nisur nëpërmjet telefonit por edhe me zarfa në autobuzët e linjës për në Ballsh e Tiranë. Mirënjohje centralisteve Aishe, Lushka, Afërdita, Vera e famshme , Lili, Bardha, Shaqja etj. që na ndihmonin edhe përtej rregulloreve !

Kolegëve të sotëm e të rinj, sot mbase u duken përralla, kur i mbajnë sytë tërë ditën nëpër lumenjtë e internetit. Dhe fare rrallë lëvizin me këmbë nëpër fshatra e krahina, duke u rrotulluar rreth habereve nga Policia, Polit(h)ika, Gjykatat, Prokuroria etj. Ndërsa në shkrime mungon Njeriu i vërtetë në fusha, kodra e male, mungon jeta reale e familjeve shqiptare në Pluralizëm.

Vecse te ajo zyrë pune intensive, kam derdhur edhe lotë e psherëtima që nuk harrohen lehtë. Se jeta e gazetarit ishte gati përditë “fushë e minuar”…

-Kristo vëllai, mos harro : Kollitjen e Naimit tuberkuloz, e dëgjon i pari ti në Sarandë,-më thoshte herë pas here Gurua i mirë nga Fterra, kryeredaktori i gazetës lokale, njeriu që kish provuar herët në kurriz padrejtësitë e kohës pa kohë dhe që unë e gjeta në një kabinë-barakë bashkë me gruan Kanerinë e 4 fëmijët !

Te ajo ndërtesë e vjetër historike, kishte punuar në Doganë, Naim Frashëri, “Naim Shqipëria”(kështu e pagëzoi Lefter Cipa me grupin famoz të Pilurit). Donte të shëronte të mallkuarin tuberkuloz që po i merrte frymën ! Ndërsa mua më bëhej se dëgjoja shpesh kollitjen e tij të thatë a të zezë. Dëgjoja atë poet e shqiptar të madh “zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur”.

Dhe sikur shikoja nga afër mushkëritë e copëtuara por edhe përfytyroja bilbilin e Gjuhës Shqipe, atje te Guri i Kokojkës mbi Frashër, me fletore e pendë në duar. Që vendalinjtë kanë vite që e thërrasin me plot gojën “Guri i Naimit”! Jam i bindur se nuk ka shqiptar e bir shqiptari që nuk di qoftë edhe dy vargje nga ky burim i pashterur shqiptarie të vërtetë, nga frashërlliu që shkriu si qiriri dhe iku 54 vjec për të vetmin ideal : Shqipërinë e lirë ! Dhe Gjuhës së Nënës “i hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia merrnin frymën”. Ata që nuk e njohin mirë kohën naimiane, mund të ngatërrohen si në një labiririnth. Por ama vetëm një gjë nuk e “ngatërrojnë” dot(dje, sot, nesër): Idealin e tij të Lirisë e të përparimit, patriotizmin e tij të kulluar ! Një mision historik i lartë, i paprekshëm e drejt Diturisë. Edhe vetë Perëndinë “e bëri shërbëtore të patriotizmit”. Dhe nga nxënës “u bë mësues i Perëndisë”:

Ay që ka mirësinë

Ka Perëndinë e të mirat,

Ukraine Defense Minister Says ‘Complex’ Counteroffensive Already Underway
×
Edhe kush ka djallëzinë

Ka djallë e ligësirat …

Një nga veprimtaritë më të bukura e më atdhetare bio që organizon cdo vit e vetmja Shoqatë Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”(e që mua më ka vlerësuar e nderuar jo pak) është ajo e 25 Majit, Ditëlindjes së Naimit. Vijnë cdo vit e mblidhen nga tërë viset ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Vijnë në Frashër, vijnë si përrenj të gëzuar pranverorë, ku i pret Kryetari i përkushtuar Tomor Kotorri me shokë. Gjëmon e flet historia nga brezi në brez.

Kam lexuar një dorëshkrim të Xhevo Spahiut fiks 28 vite më parë, në Stamboll : “Etje/ Etje/ Kam etje/ Po ku, ku është Burimi ?/ Dal jashtë/ verbtazi kërkoj/ Takoj Naimin !”. Te ky burim i përjetshëm kanë pirë e do pijnë të gjithë, sa të ketë shqiptarë mbi dhe. Është burim i patharë Shqipërie. Është burim Lirie e Poezie i vërtetë. Sepse kur “Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe belbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë”. Të ndikosh aq shumë mbi një popull, sic thekson me të drejtë Rilindasi i fundit, Rexhep Qosja: “Platoni thotë se Homeri ka edukuar krejt Greqinë. Po ashtu mund të thuhet edhe për Naim Frashërin”!

Në Sarandën time që përkundet, ngryset e zgjohet nga valët e detit, jetova e punova po aq vite sa Poeti ynë Kombëtar. Mirëpo edhe kur ika e gjer më sot, dëgjoj ende kollën e tij të thatë, pulëbardhat dhe zogjtë e rrallë këngëtarë në Pyllin e rrallë të Hotovës te dera e Frashërit; dëgjoj fyellin e bariut që e rreh breshëri dhe shiu; dëgjoj gurgullimat e blegërimat e kopeve të vetmuara…Shikoj cukat, kodrat, brigjet, lumenjtë dhe malet e mbytura në gjelbërim. Takova mjaft ish partizanë të Batalionit Partizan “Naim Frashëri”, batalion që në Polican të Pogonit mblodhi si kokrrat në shegë Cetat “Koto Hoxhi” e “Musa Fratari”. Dhe pastaj hynë në Brigadën e 6 Sulmuese e ia morën këngës labce :”Dil Nëno, të shikosh jashtë/ Si lufton Brigada e Gjashtë…”. Atje, te porta e shkrumbuar e qytetit të shkrumbuar 4 herë buzë Vjosës, në Përmetin këngëshumë e plot histori. Dëgjoj vargun lapidar nga “shpirti i Kombit”: Ti Shqipëri, më ep nder !…