“Keni pak shans të fitoni, a keni bërë raportet e votave?!”/ Analistët pyesin Bejlerin për zgjedhjet në Himarë
Fredi Bejleri ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Himarës, ku ai kandidon nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Bejleri u pyet nga analistët për raportin e votave në këtë bashki.
Pjesë nga biseda:
Enton Abilekaj: Himara voton opozitën, Dhërmiu voton opozitën ndërsa fshatrat e tjerë janë ose të ekuilibruar ose votojnë PS-në. I keni bërë raportet e votave? Nëse i keni bërë keni pak shanse për të fituar.
Fredi Bejleri: Lukova dhe Shën Vasili ka qenë djathtas, por këto 10-12 vjet që demokracia është vetëm në fjalë, ato fshatra kanë ndryshuar vota. Njerëzit do të shprehen. Të dy komunitetet po masakrohen. As në Borsh nuk ju jepen leje vendalinjve. Kemi një organizatë kriminale që ka vënë dorën në xhepin e çdo qytetari. Kjo do të reflektohet në votë. Jam i bindur, do ta shikoni.
Lorenc Vangjeli: Si mendon se ndahet vota? Veçantia nuk është e majtë dhe e djathtë, por edhe për shkak të dy pasaportave që mbani. E ndjeni këtë lloj tensioni?
Fredi Bejleri: Jo nuk e ndjej.
Lorenc Vangjeli: Flas për ngjyrën e votave .
Fredi Bejleri: Unë them që ka të majtë, që janë të zhgënjyer, shumë prej tyre besoj se do të ndryshojnë votën.
Lorenc Vangjeli: Jeni si kandidat i PBDNJ dhe OMONIA, por kandidoni për zotin Berisha, një person të izoluar nga ndërkombëaret. E ndjeni këtë peshë?
Fredi Bejleri: Për mua prezumimi i pafajësisë është i shenjtë. Zoti Berisha ka qenë President dhe kryeministër i Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së tij Shqipëria ishte nga të gjithë anët më e mirë. Zoti Berisha do të gjykohet nga historia, por nuk bëri këtë krim në Himarë që po bëjnë këta sot.