Destinacioni i javës: Fshati Nivicë Bubar, 12 km nga qyteti i Sarandës

Fshati Nivicë Bubar ndodhet rreth 12 km nga Saranda, në shpatin lindor të malit Shëndëlli, në të majtë të rrugës nacionale Sarandë-Himarë.

Është një fshat i vjetër dhe me këtë emër dëshmohet si fillim në dokumentat e shkruara të shekullit të XV. Në qendër të fshatit ndodhet rrapi shekullor, një monument i veçantë natyre, i cili është simbol i sheshit të fshatit i njohur si “Mecilis”.

Sheshi përreth rrapit është njëkohësisht pikë takimi e banorëve për diskutime, festa dhe aktivitete të ndryshme.

Pranë rrapit ndodhet lapidari kushtuar dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në krah të rrapit ngrihet shkolla e vjetër e fshatit, mbi 100 vjeçare, e rikonstruktuar disa herë nga banorët e fshatit dhe përballë saj një këmbanore me arkitekturë të veçantë.

Në të njëjtin oborr me shkollën ndodhet kisha e Shën Dhimitrit, ndërtim i shekullit të XVI, por rindërtuar disa herë përgjatë shekujve.

Nivica e vendosur në shpatin e malit Shëndëlli, harkuar nga pylli i Rrupaqes, ngjason me një “fortesë natyrore” që tërheq vëmendjen për bukurinë e rrallë që ofron.