ANALIZA: Finiq, garë mes PBDNJ dhe MEGA

Nënkryetari i Bashkisë së Sarandës, Romeo Çakuli garon për postin e kryetarit të Bashkisë Finiq për partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA, e cila e kontrollon këtë bashki që nga viti 2019 në aleancë me Partinë Socialiste.

Përballë tij janë dy kandidatë, Leonidha Papa nga Partia Demokratike dhe Leonidha Hristo nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Hristo është kandiduar nga partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila është në aleancë me koalicionin opozitar. Hristo ka qenë më parë kryetar i bashkisë Finiq në vitet 2015-2019 për palën tjetër, si përfaqësues i partisë MEGA, ndërsa tani ka ndryshuar krah duke kandiduar për PBDNJ dhe opozitën.

Ndërsa Leonidha Papa ka qenë më herët kryetar i organizatës Omonia, por tani kryetari pasardhës duket se mbështet koalicionin Bashkë Fitojmë.

Ndarja e votave mes të dyve mund të ndihmojë partinë MEGA të vijojë të kontrollojë këtë bashki. Për socialistët, kontrolli i bashkisë së vogël është pjesë e llogarive elektorale për zgjedhjet parlamentare për Qarkun Vlorë, ku formula e proporcionalit rajonal jep shpërblime ose penalitete të konsiderueshme për avantazhe relativisht të vogla elektorale. Kryetari aktual i bashkisë Finiq, Kristo Kiço e ka marrë këtë post pasi më herët ishte i punësuar nga socialistët si nënkryetar i bashkisë Sarandë dhe kandidati i MEGA-s vjen sërish nga i njëjti pozicion. Kristo Kiço është njëkohësisht kryetar i kësaj partie.

Njëmbëdhjetë parti garojnë për 21 postet e këshillit bashkiak të kësaj bashkie minoritare. Këto parti kanë vendosur në listat e tyre të mbyllura 223 kandidatë.

Në listat zgjedhore të bashkisë Finiq gjenden 31 mijë votues, por shumica duket se janë në emigrim dhe pjesëmarrja në zgjedhje në këtë bashki ka qenë vetëm 29% në vitin 2015 dhe 14% në vitin 2021, kur mbyllja e kufirit nga komiteti anti-COVID ndaloi atë pjesë të emigrantëve të cilët kthehen për të votuar. Zgjedhjet e vitit 2021 u fituan nga Partia Socialiste në pushtet, ndërsa MEGA, partia që kontrollon bashkinë që nga viti 2019, nuk mori pjesë në zgjedhje.

Aftësia e Omonias dhe PBDNJ-së për të sjellë emigrantë për të votuar kandidatin e tyre mund të jetë përcaktuese në rezultatin e zgjedhjeve në këtë bashki ku numri i pjesëmarrjes në votime ka qenë në rënie të konsiderueshme. Në vitin 2011 për zgjedhjet e ish-komunave pati gati 12 mijë vota ndërsa në zgjedhjet e vitit 2015 pjesëmarrja ra në 8500 ndërsa në 2021 në 4300. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e vitit 2021 i dedikohet situatës së COVID-19 pjesërisht, por tendenca e pakësimit të votuesve të pranishëm në këtë bashki është e dukshme pavarësisht kësaj./BIRN/