Rama: Rritja e pagës minimale s’bëhet për të fituar zgjedhjet! Njerëzit na besojnë më shumë se të tjerët

Kreu i qeverisë, Edi Rama i është përgjigjur kritikëve që thonë se rritja e pagës minimale po bëhet vetëm për të fituar zgjedhjet.

“Rritja e pagës minimale sot 40 mijë leke u diktua nga kjo. Nuk e kishim programuar pagën minimale. Shumë njerëz komentojnë që thonë duhet të jetë 800-900, duhet të jetë 1200. Problemi nuk është dëshira, kapaciteti që ka tregu dhe ekonomia për ta mbajtur.

Paga minimale ka një logjikë por nga ana tjetër s’mund të vazhdonim me programin që nuk ishte parashikuar. Lufta në Ukrainë ka një lidhje shumë të madhe.  Në këto kushte s’mund të mos reagonim. 38 mijë lekë ka qenë maksimumi i programeve elektorale. Në prill bëhet 40 mijë lekë.

Kjo s’ka lidhje me fushatat. S’kemi pse të rrisim pagat për të fituar zgjedhjet. Njerëzit na besojnë më shumë se ç’besojnë të tjerët. Paga minimale është rritur se është koha për ti dhënë të gjithë bashkë një shtysë. Pagat reale në Shqipëri janë më të larta se ato të deklaruara”, tha Rama.

Kryeministri tha se duhet të marrë fund koha kur sipërmarrjet private shfrytëzojnë punonjësit. Sipas Ramës, duhet mbyllur faza e shfyrtëzimit të punonjësve dhe sipërmarrja ka dy zgjidhje, ose duke mbetur pa punonjëse dhe të reflektojë, ose të bëhet e vetëdijshme dhe të krijojnë një marrëdhënie te re me punonjësit.

“Të rrojë duke mbështetur punonjësit që edhe atë të rrojnë, epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, prodhojnë punë, që japin punë duhet të mbyllet. Ne do të zhvillojmë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të forcave të punës, marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara të shfrytëzimi, si edhe tek fitime të padeklaruara.

Kjo fazë është duke u mbyllur dhe çështja është si do të mbyllet. Zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri, është si do mbyllet duke e përplasur sipërmarrja në tokë dhe duke e lënë pa burime njerëzore, apo do mbyllet duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshëm se duhet të krijojë një marrëdhënie të re me forcat punëtore”, tha Rama.