Në garë për mandatin e dytë, Flamur Golemi: Jam shumë krenar për çfarë kemi bërë dhe mezi pres të nisim kantiere të tjera investimesh
Nga Flamur Golemi
Falënderues kryeministrit Edi Rama, kapitenes sonë Mirela Kumbaro dhe Partisë Socialiste për besimin që t’i prij unë garës së 14 majit drejt rrugës së pakthyeshme të fitores në Gjirokastër.
Rikonfirmimi për një mandat të dytë më ngarkon me një përgjegjësi më të madhe dhe më motivon më tepër për të përmbushur jo vetëm besimin dhe nderin e madh që më është bërë, por më frymëzon të punojmë fort së bashku për të çuar përpara ato projekte që i duhen Gjirokastrës sot dhe Gjirokastrës së gjeneratës tjetër.
Goditja nga tërmeti dhe më pas pandemia shenjuan këtë mandat të parë, pakësuan buxhetet tona dhe mundësitë për të përshpejtuar punët. E megjithatë ne ia dolëm të finalizojmë vepra të rëndësishme si Ujësjellësi i ri me furnizim 24 orë, Bajpasi, Parkingu nëntokësor, restaurimi i plotë i Pazarit, Teatri, rikonstruksioni disa shkollave dhe rrugëve të brendshme në qytet e në zonat rurale.
Turizmi ka marrë tashmë një dimension zhvillimi të paimagjinueshëm deri disa vite më parë dhe është sot sektori kryesor për ekonominë e Gjirokastrës.
Unë jam shumë krenar për këtë punë që bëmë së bashku dhe mezi pres të nisim kantiere të tjera si Terminali i Udhëtarëve, Tregu i Fruta Perimeve, Pallati i Sportit etj. Ky është një rrugëtim që vazhdon dhe 14 maji është veçse një ndalesë për të rinovuar kontratën e besimit që ne lidhëm 4 vite më parë. Bashkë për të ndërtuar këtu të ardhmen që meriton Gjirokastra.