Drejtoresha e Arkeologjisë zbulon të rejat e kërkimeve në Parkun e Butrintit: Kemi 3 projekte
Drejtoresha e Institutit të Arkeologjise, Belisa Muka në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ka folur për të rejat e kërkimeve që janë bërë këtë vit në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Ajo ka thënë se që kërkimet po kryehen pa gërmuar por me metoda të reja, duke theksuar se kanë tre projekte të cilët identifikojnë faza të ndryshme.
Sipas Mukës, Butrinti është shumë i rëndësishëm jo vetëm për atë që përfaqëson sot për ne, por edhe për mundësinë që ofron për kërkime shumë disiplinore.
“Butrinti është shumë i rëndësishëm jo vetëm për atë që përfaqëson sot për ne, por edhe për mundësinë që ofron për kërkime shumë disiplinore, për kërkime të reja, eksplorime të të bërit të arkeologjisë tashmë. Sepse brezi të cilit unë i përkas tashmë është dëshmitar i këtyre transformimeve të mëdha në metodologji, në hapësira për të ndërhyrë dhe për të mos ndërhyrë, sepse sot ne mund të gërmojmë dhe mund të studiojmë dhe pa gërmuar me metoda të reja.
Ne kemi 3 projekte në Butrint, pra jemi përpjekur që me kërkimet tona të mbulojmë tre prej periudhave historike të Butrintit, duke nisur nga faza më e hershme dhe jemi të përqendruar në zonën e Akropolit. Kemi datimin më të hershëm të Butrintit antik me të dhëna të qarta, pra ne sot flasim për shekullin e 7 p.e.s, si momenti i ndërtimit të këtij fortifikimi, një projekt që prek pikërisht fazën më të hershme.
Një tjetër projekt i yni i përbashkët ka në vëmendje një tjetër periudhë të rëndësishme siç është periudha romake, kur Butrinti ka një rol shumë të rëndësishëm. Edhe projekti i tretë merret me periudhën mesjetare dhe formën e urbanistikës së Butrintit në periudhën mesjetare. Përsëri me kërkime të cilat synojnë të kuptojnë këto lloj transpormimesh, cila është pamja? Çfarë është Butrintin në mesjetë? Si funksionon?”, tha ndër të tjera ajo.