Vizita në Tokio, Kumbaro: Në shtator vizitë e turoperatorëve japonezë në Shqipëri
Në vazhdën e vizitës zyrtare në Japoni, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në një intervistë të dhënë për Radio Televizonin Shqiptar u shpreh se Shqipëria do të bëhet pjesë e hartës turistike për vizitorët japonezë.
“Interesi ishte shumë i madh për Shqipërinë. Japonezët duan atraksione të reja. Shqipëria është pjesë e intinerariz ballkanik, pasi japonezët njohin shumë vende ballkanike por pak ose aspak Shqipërinë. Qëlimi ishte ta bënim pjesë të kësaj pakete. Brenda vitit 2023 do të organizojmë një vizitë të turoperatorëve dhe drejtuesve të agjencive turistike japoneze në Shqipëri. Këtë prezantim të Shqipërisë e bëmë edhe gjatë këtyre ditëve me imazhe, informacione dhe video çka pati një ndikim shumë pozitiv. Ky bashkëpunim do të vijojë më tej”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja e Turizmit tha në takimet me drejtues të institucioneve publike dhe private, se turistët japonezë përfaqësojnë një treg interesant për Shqipërinë.
“Më shumë se një turizëm masiv, duam turizëm cilësor. Turistë që shpenzojnë shumë dhe qëndrojnë gjatë dhe turistët japonezë janë të tillë. Në vitin 2019 patëm rreth 6500 vizitorë nga Japonia, pa dyshim vitet e pandemisë e ulën këtë shifër. Kemi një rikuperim me 1500 turistë japonezë në vitin 2022, por kjo vizitë jam e bindur do të japë një impuls. Këto ditë, takimet me gjithë sektorin e turizmit privat dhe publik kanë qenë shumë intensive”, u shpreh Kumbaro duke përmendur prezantimin e Shqipërisë në Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Japonisë, në seminarin e biznesit dhe në takimin me 30 drejtues të kompanive turistike, anëtarë të JATA- bashkimi me i madh i agjencive turistike japoneze.