Pëllumb Kulla: Një mik, si Enver Isufi
Nga Pëllumb Kulla
Një lajm i hidhur që vjen nga Saranda na goditi rëndë.
Sot aty është shuar Enver Isufi, njëri nga miqtë tanë më tështrenjtë, njeri i fushës së kulturës dhe arsmit, një penë e mprehtë e humorit që foli me letra dhe me trupën e artistëve sarandiotë.
Mua dhe gruas time Xhuljetës, na hidhëron pa masë e qëna larg, kur do të deshëm të ishim pranë familjes së mikut tonë, bashkëshortes Vojsavës dhe djemve të tyre, si edhe artistëve dhe miqve të panumurt të të ndjerit
Enveri përbën një nga miqësitë e mia më të bukura. Ai ubë një nga bashkëpunëtorët më të shquar që më pruri jeta ime part-time e Sarandës. Ishte një intelektual klasi, me një kulturë të fisme dhe me një përvojë krijimtarie mjaft të pëlqyeshme. Lexonte shumë në gjuhët e huaja që përdorte, italishten e pasur dhe me një prirje të madhe tek ato që i ofronte rusishtja e tij solide për t’ia patur zili, e cila e afronte tek idhulli i tij, Anton Çehovi i madh.
Miku im pat qenë për ca vite në krye të Seksionit të Arsimit dhe Kulturës për rrethin e Sarandës dhe më pas u angazhua si libretist në trupën e estradës.
Shoqëria me Enverin ishte mjaft e këndëshme, ngaqë Enveri kishte një sens të rrallë humori dhe vëzhgim mjaft të mprehtë. Këtij vëzhgimi i detyrohemi mjaft për karakteret që peshkonte miku im dhe disa nga të cilët i dhanë goxha dritë një komedie titulluar “Flokë dëbore në prill”, që mban emrat e të dyve ne, si bashkautorë.
Ideja e bashkëpunimit lindi ndërsa po shkëmbenim mbresa nga Shtëpitë e Pushimit të punëtorëve, nga bashkëjetesa e shkurtër aty mes pushuesve të panjohur, burokratëve të administrimit të kampit, larmia e marrëdhënieve burrë-grua mes çifteve, të panjohur kurrë më parë.
Ne, dy autorët endeshim bashkë ato ditë tek hartonim narrativën dhe plotësonim njëri tjetrin. Ishte muaji prill dhe një ditë, befas, në Sarandë ra një dëborë e rrallë, që askush nuk e priste. Ne u lumturuam sepse ajo na e dha titullin poetik për veprën. Përcaktuam vendet, se ku do të gjenin hapësirë këngët lirike dhe ato korale, në mënyrë që të ruanim karakteristikën dalluese të trupës sarandiote. Kompozimin e suzhetit e bëmë së bashku, Enveri u muar kryesisht me vargjet liriko-humoristikë dhe koralet massive, kurse unë u angazhova në dialogjet.
Shperblimin na e dha suksesi që arriti komedia, e cila u shfaq netë dhe netë rresht, ashtu e pjekur nën regjinë e Thoma Milajt me muzikën e Thomait tjetër, Thoma Gjonit. Shkëlqyen në të artistët e mirënjohur Theofili dhe e shoqja, Viloeta Haxhijani, si dhe më të rinjtë, Vangjel Agora, Karafil Shena dhe të tjerë. Spektakli pastaj u filmua nga kanali i vetëm i televizionit kombëtar të atyre viteve dhe ia behu shend e verë nëpër ekranet e shqiptarëve.
Dhe unë sot, në këtë ditë të hidhur e kujtoj e nuk e di se ku gjendet tani ai regjistrim televiziv…
Kujtimet nga Saranda janë të shumtë dhe të dashur e tani që shkruaj më rizgjohen tok me dhimbjen që le ikja e një miku.
Ngushëllime familjes së dashur të mikut tonë!
Lamtumire Enver Isufi!… Udhë e mbarë nëpër kujtimet e miqve që të deshën aq shumë!