Kumbaro pritet nga homologu grek: Program i përbashkët në fushën e turizmit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë vizitës në Greqi u prit në takim nga homologu Vassilis Kikilias, me të cilin nënshkroi fillimin e një programi të përbashkët pune mes dy ministrive.

Kumbaro bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se do të formohet një komitet me anëtarë nga Shqipëria e Greqia përmes të cilit do të organizohet forumi teknik mbi turizmin në Tiranë.

“Ky forum do t’i japë jetë promovimit të përbashkët të destinacioneve për tregjet e largëta, shkëmbimin e dijeve dhe të dhënave ku nga Greqia si gjigant në turizmin botëror kemi shumë çfarë të mësojmë, bashkëpunim për pjesëmarrjet në panaire dhe evente të rëndësishme dhe sigurisht angazhime të koordinuara në institucione ndërkombëtare që nga Organizata Botërore e Turizmit dhe tek të gjitha iniciativat rajonale”, tha Kumbaro.

Kumbaro ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, prej dy ditësh. Ministrja Kumbaro u takua sot edhe me ministrin e Mjedisit dhe Energjisë Kostas Skrekas së bashku me zv.ministrin Giorgos Amiras. Në qendër të takimit ishte shpallja e Vjosës Park Kombëtar dhe bashkëpunimin për të krijuar parkun ndërkufitar Vjosa-Aoos.