Kumbaro me kryebashkiakun e Athinës: Promovim i ndërsjellë në turizëm

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u takua me kryebashkiakun e Athinës Kosta Bakojanis ndërsa vijoi vizitën e saj në Greqi. Në këtë takim, sipas Kumbaros, u vendosën piketa dhe u ndërtuan ide për promovim të ndërsjellë në turizëm, nën frymën e mirë të bashkëpunimit që ka nisur mes dy kryeqyteteve.

“Bashkëpunimi është më intensiv se asnjëherë më parë dhe sidomos me kalendarin e ri të Samitit të Bashkive të Ballkanit B-40 ku Athina i dorëzoi Tiranës dhe Erion Veliajt presidencën e radhës”, shkruan ministrja Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Kumbaro e ka quajtur Bakojanis-in, kryebashkiakun e mijëra bashkatdhetarëve tanë, të cilët ai vetë i quan “athinas”. Kumbaro gjendet prej disa ditësh në kryeqytetin grek. Më herët ajo u takua me Dimitris Fregakis, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Turizmit, dhe me stafin e profesionistëve që punojnë çdo ditë në sektor.

Në takimin me homologun grek, ministrin e Turizmit Vassilis Kikilias, u nënshkrua fillimi i një programi të përbashkët pune mes dy ministrive. Kjo do të sjellë promovim të përbashkët të destinacioneve për tregjet e largëta, shkëmbimin e dijeve dhe të dhënave, bashkëpunim për pjesëmarrjet në panaire dhe evente të rëndësishme dhe sigurisht angazhime të koordinuara në institucione ndërkombëtare që nga Organizata Botërore e Turizmit dhe tek të gjitha iniciativat rajonale.