Enverin, siç e njoha…
Nga Thoma Nika
E kam fjalën për Enver Isufin, intelektualin e profilit të lartë, që sonte e mbylli rrugëtimin e jetës. Pati një rrugë, në të cilën bëri dhe la emër.
Ai ishte ndër ata delvinjotë që “e thithi” Saranda, për cilësitë e spikatura në fushë të arsimit, si një mësimdhënës i spikatur në Delvinë.
Ai është një përjashtim i rrallë nga “rregulli”, në kuptimim që, pa pasur tesër partie, iu besua të drejtojë arsim-kulturën në të gjithë ish-rrethin e Sarandës, nga Borshi në Konispol. Mësimdhënësit dhe kulturëbërësit në të gjithë këtë hapësirë, kishin te Shef Enveri, jo thjesht Shefin, por promotorin për cilësi në arsim e risi në kulturë, kolegun e respektuar e njeriun e kulturuar, të rritur me meritë në detyrë.
Kishin mikun, me të cilin flisnin çiltër e pa pasur hallin e keqkuptimit, kur parashtronin hallet që kalonin shkollat dhe institucionet kulturore.
Penës, poezisë, tregimit, sidomos gjinive humoristike, nuk iu nda, edhe nën “stofin” e Shefit të Seksionit të Arsim-Kulturës.
Në komunikimin miqsor, mbeti njeri i batutës, i humorit, ku nuk ishte vështirë të dalloje mirësinë dhe nevojën për t’i dhënë ditës të qeshurën.
Momentit të themelimit të gazetës lokale “Fitorja” dhe konsolidimit të saj, do t’i duhej një penë autoritare si ajo e Enver Isufit. E ai e dha veten në kompetencën e trajtimit në atë gazetë të halleve dhe modeleve të shkollave dhe shtëpive e vatrave të kulturës. E dha me thellësinë e trajtimit të temave sociale të kohës.
Po aq e lexueshme ishte firma Enver Isufi, për reportazhin plot jetë dhe me personazhe të vërtetë, apo aq i admiruar nga ne, më të rinjtë e asaj redaksie, në mjeshtërinë e lëvrimit dhe organizatorit të këndit të humorit në gazetë. Rregjistri i tij i humorit, nuk linte jashtë “loje” as emrin që mbante.
Ndodhte që ne harroheshim duke vazhduar të shkruanim lajmin a reportazhin e ditës mbi letrat e bardha. Shpesh dilnim nga kjo gjendje, veç kur na kërkonte pastruesja ta linim zyrën, për të bërë edhe ajo punën e saj. Kujtoj që Enveri, edhe këtë moment e kalonte me situatë humori, duke i thënë pastrueses: “Sa herë të kam thënë, prit të kalojë Shoku Enver, pastaj laji çimentot!”.
Të gjithë qeshnim me batutën e momentit dhe askush nuk mendoi keq e nuk u bë i keq, siç rëndom mund të ndodhte në kolektiva të tjerë, ku “gjuetarët” e fjalës “antiparti” i legjendonin dhe i raportonin situata të ngjashme, edhe kur ato nuk ekzistonin.
Enver Isufi ishte edhe penë që guxonte. Sepse nuk i pëlqenin skemat. Si në jetë, edhe në gazetë, tregoi se guxoi t’i prishë ato dhe të hedhë ide përtej asaj që “lejohej”. Kështu ndodhi edhe me artikullin që iu kthye në “patate përvëluese”.
Një artikull që hodhi dritë mbi të vërtetën e emrave të fëmijëve, që zyrat e gjendjes civile, u impononin prindërve të të porsalindurve. Përtej kësaj, u përfshi edhe realiteti i “shqipërimit” të emrave të një vargu fshatrash të banuar nga popullsi me përkatësi etnike greke. Me dekret të posaçëm të Presidiumit të Kuvendit Popullor të kohës, Vromero u bë Bregas, Qenurjo u bë Vurgu i Ri, Fanari u bë Dritas, Karahaxhi u bë Blerimas, Mavropulli u bë Buronjë etj etj.
Artikulli i Enver Isufit (19 mars 1976) nxorri në publik një të vërtetë, që në thelb ishte shkelje e një të drejte esenciale të pakicës kombëtare. Ai u bë shkak që Greqia fqinje t’i bënte notë proteste shtetit shqiptar për shkeljen e bërë me dekret dhe jo me gazetë. Shteti i kohës e futi kokën si struci në rërë, duke fshehur dekretin e duke ia lënë “kopilin” gazetës e sidomos autorit të “artikullit të zi”, Enver Isufit.
Ndëshkimi i tij, me heqjen nga gazeta, ishte fati i Estradës Profesioniste të Sarandës. Enveri u emërua libretist i atij institucioni, të cilit i shtoi emër nga emri dhe nga talenti i tij. Përmes materialeve letrare të frymëzuara nga jeta, firmosur nga Enver Isufi, ato i dhanë suksesin trupës së mezipritur në skenat e qyteteve në tërë vendin.