Blendi Klosi: Janë hartuar listat, por emrat do bëhen publikë kur të nisë fushata elektorale

Në zgjedhjet e 14 Majit, Partia Socialiste nuk përjashton mundësinë që krahas një pjese të kryebashkiakëve aktualë, të ketë kandidatë edhe profile të reja.

Sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, në studion e Klan News, tha se edhe mazhoranca mund të përzgjedhë kandidatura për kryetarë bashkie edhe nga radhët e deputetëve të saj.

Blendi Klosi: Akoma nuk jemi në emrat e fundit. Shpresoj shumë që ta demonstrojmë si forcë politike këtë pjekuri që na vjen dhe nga eksperienca. Kandidatët do të dalin kur të fillojë fushata elektorale pasi janë të mjaftueshme 45 ditë që individi të njihet me elektoratin.

Njëherësh edhe drejtues politik i qarkut të Vlorës, Klosi tha se Partia Socialiste ka hartuar listat për kandidatët, por ende nuk është bërë përzgjedhja e emrave konkretë.

Blendi Klosi: Do të kemi ndryshime në listën e atyre që përfaqësojnë sot PS dhe do të jenë sepse kjo është Partia Socialiste, jeton me ndryshimin, përpiqet që të bëjë gjithmonë më të mirën. Një nga kolegët mund të jetë fare mirë kandidat apo kryetare bashkie. Në përgjithësi, mendoj se do të ketë një linjë e cila deputetëve më shumë ju jep detyrën e deputetëve. Më shumë mbron profilin e deputetëve në Parlament.

Klosi komentoi edhe protestat e opozitës, për të cilat u shpreh se po bëhen për të justifikuar humbjen e pritshme të zgjedhjeve të 14 Majit.