Destinacioni i javës: Vendbanimi i Diaporitit, 20 km nga qyteti i Sarandës

Vendbanimi i Diaporitit ndodhet në bregun lindor të Liqenit të Butrintit. Ai filloi të banohej për herë të parë nga fundi i shekullit të 3-të para Kr., kur u ndërtua një kompleks i madh me një sipërfaqe prej 2000 m², në tarraca të ndryshme.

Një fazë e dytë ndërtimore datohet në mesin e shekullit të 1-rë para Kr., por punimet më të mëdha u bënë në kohën e Augustit dhe të Tiberit.

Të dhëna të rëndësishme arkeologjjke tregojnë për praninë e një shtëpie tipike romake me atrium e cila ndryshe nga vilat e tjera të kësaj zone, nuk ishte e fortifikuar.

Perveç vilës romake ndërtime të tjera karakteristike janë një kompleks termash romake dhe një bazilikë që i takon fundit të shekullit të 5-të.

Sot, Diaporiti përfaqëson një zonë të rëndësishme arkeologjike dhe një destinacion që mund të aksesohet përmes liqenit të Butrintit dhe fshatit Xarrë.