Beleri kandidat për Himarën, Koçi: Opozita duhet të ishte treguar e kujdesshme, duhej shmangur

Deputeti socialist Petro Koçi, për kandidaturën e Fredi Belerit si kandidat i PBDNJ dhe me mbështetjen e opozitës për bashkinë e Himarës, deklaroi se politika duhet të tregohet shumë e kujdesshme për Himarën, për të mos pasur ngjyrime ndëretnike.

Në studion e MCN Live, Koçi tha se edhe opozita duhet të ishte treguar më e kujdesshme me Himarën dhe se kandidatura e Fredi Belerit duhet të ishte shmangur.

Sipas tij, mund të ishte zgjedhur një kandidaturë tjetër, për të mos dëmtuar Himarën vetë, edhe prej problematikave me pronat që ka pasur një paqe që ka funksionuar dhe se më parë nuk ka pasur problematika.

“Mendoj se duhet një politikë më e kujdesshme me Himarën, sepse nuk ka arsye që të krijojmë situata me konflikte të cilat shpesh herë pa dashur përfshijnë edhe fqinjin tonë jugor.

Zotëria në fjalë ka mbrapa një pikëpyetje që ka lidhje me interesin kombëtar. Pikëpyetjet e hedhura kanë lidhje me ngjarjet e Peshkëpisë, nuk jemi as prokurorë as hetues.

Emri i zotit Beleri nuk është shpikur nga politika, ka pasur zhvillime që e kanë nxjerrë në shesh emrin e tij. Formalisht është i pafajshëm, por në perceptimin e publikut është një gjë tjetër.

Kjo kandidaturë është një avantazh shumë i madh për PS, jo vetëm emri i zotit Beleri, por fakti që është në aleancë dhe me zotin Berisha dhe Meta e bën më të madhe ngarkesën në kurrizin e kandidatit për kryetar bashkie.

Kur përmenda interesin kombëtar e lidha me ngjarjen e Peshkëpisë. Ajo që ka ndodhur në Peshkëpi ka lënë gjurmë në opinionin publik.

Përtej formularëve të drejtësisë, kur ka dyshime për një gjë, kjo është një gjë shumë e ndjeshme për shqiptarët.

Nuk ka arsye që një ngjarje si e Peshkëpisë të trazojë politikën me kandidatura të tilla. Ka zgjidhje të tjera dhe për zotin Beleri, nuk është e thënë të kandidojë për kryetar bashkie.

Duhet treguar shumë kujdes, është një zgjedhje që duhet të ishte shmangur edhe për zotin Beleri”, tha Koci.

E njohura si “masakra e Peshkëpisë”, ka të bëjë me sulmin ndaj një reparti kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, katër kilometra brenda kufirit shqiptar, që solli vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ngjarja e 10 prillit 1994 u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek që kërkonte bashkimin e një pjese të Shqipërisë së Jugut me Greqinë.