Bashkia Sarandë reagon pas hedhjes me tritol të hotelit: Jemi në gadishmëri për kapërcimin e kësaj situate

Bashkia e Sarandës ka reaguar pas ngjares së rëndë që ka ndodhur mesnatën e së dielës ku u hodh në erë me tritol një hotel.

Perms një njoftimi për shtyp bashkia e Sarandës thekson:

“Pas situatës jo të zakonshme, të krijuar mëngjesin e sotëm në një nga bizneset hoteliere në shëtitoren e qytetit të Sarandës, një grup specialistësh të Ndërmarrjes së Shërbimeve, Emergjencave Civile dhe Shërbimit Zjarrfikës, kanë evidentuar dëmet e shkaktuara në hapësirat publike përreth.

Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Bashki, po punojnë në shëtitoren e qytetit dhe hapësirat publike përreth, për të bërë të mundur eliminimin e pasojave dhe dëmeve në këto hapësira, si dhe normalizimin e situatës. Në të njëjtën kohë, u gjendemi pranë qytetarëve të dëmtuar për çdo nevojë, që mund të kenë, për kapërcimin e kësaj situate.

Inkurajojmë strukturat ligjzbatuese për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Jemi të bindur se kjo ngjarje dhe pasojat e saj, të cilat, për fatin e mirë janë vetëm materiale, do të eliminohen shpejt dhe nuk do të kenë asnjë impakt negativ për qytetin”, thuhet në njoftimin e bashkisë Sarandë.