Zbardhet dosja e vrasjes së biznesmenit nga Saranda: Të afërmit e Aleksandër Sadikajt po përgatiteshin privatisht për hakmarrje

Biznesmeni Edmond Papa u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt në verën e 2022, me shpërthim tritoli të telekomanduar. Kështu shkruan prokuroria në dokumentet hetimore mbi atentatin e ndodhur në zonën e Kodrës së Diellit, më 16 Dhjetor të vitit të kaluar.

Në dokumentet hetimore, Prokuroria thotë se policia kishte arritur të sigurojë informacione se të afërmit e Aleksandër Sadikajt po përgatiteshin për t’u hakmarrë dhe se kishin siguruar të dhëna në rrugë private.

Sipas dokumenteve, ata kishin lënë mënjanë autoritetet dhe të sigurt se vrasja e Sadikajt ishte organizuar në hotelin e Papës në Sarandë, kishin nisur të mblidhnin informacione.

Këto të dhëna, sipas Prokurorisë, mbështesin hetimin e kryer, ku autorët e dyshuar, Albano Velo dhe Andrew Bode kishin ndjekur prej ditësh Edmond Papën me makina nëpër Tiranë dhe Sarandë, deri në 16 Dhjetor, kur është kryer vrasja.

Por deri tani prokuroria nuk ka mundur të provojë se nga kush e kanë marrë porosinë Velo dhe Bode, apo nëse ata kanë vepruar me vullnetin e tyre, për shkak të miqësisë që kishin me Aleksandër Sadikajn.

Prokuroria thotë se miqësia e dy të hetuarve, por edhe disa persona të tjerë me Aleksandër Sadikajn, konfirmohet edhe në fotot e tyre në rrjetet sociale.

Vetë Velo ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen, ndërsa Bode vijon të jetë në kërkim si personi që ka qëlluar ndaj biznesmenit me 9 plumba.

Në dosjen e prokurorisë për vrasjen e Sadikajt thuhet gjithashtu se babai i tij kishte identifikuar Edmond Papën si të dyshuarin kryesor për atentatin me tritol pranë rreth-rrotullimit të TEG-ut.