VIDEO/ Hapet në gjithë gjatësinë tuneli i Llogorasë, Rama: Përfundon në 1 qershorin e ardhshëm

Gërmimet në tunelin e Llogorasë kanë përfunduar dhe tanimë ai është i hapur në gjithë gjatësinë e tij.

Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektuan sot kantierin e punimeve në këtë tunel, ku u finalizua edhe hapja e plotë e tij.

“Përfundojnë me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogorasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”.

Ndërsa Balluku informoi se punimet në këtë tunel kanë ecur jashtë parashikimeve dhe sot hidhet përtokë perdja e fundit për të hapur tunelin.

“Kemi edhe një tunel ndihmës që lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 për automjete dhe 6 për aksesin e këmbësorëve. Po punohet në të gjitha aspektet. Lartësia e tunelit kryesor është 4.7 m dhe gjerësia 7.7 m, prej të cilave 1.7 metra janë trotuar për rastet e emergjencës dhe 6 m janë në dispozicion për t’u përdorur nga automjetet”, tha ajo.

Balluku siguroi se vepra infrastrukturore do të përfundojë plotësisht në 10 gusht 2024.

“Synimi ynë është që në sezonin e 2024, në 1 qershor 2024, e gjithë vepra prej 7.4 km, ku 6 km është tuneli dhe 1.4 janë rrugë lidhëse dhe ura që lidhen me pjesën e Palasës të jenë gati dhe operative për gjithë qytetarët”, tha ajo.

 

Balluku falënderoi të gjitha skuadrat që kanë qenë të angazhuara në këtë kantier dhe kanë mbajtur fjalën duke e hapur tunelin para afatit.

“Kemi skuadra të kompanive turke, shqiptare dhe supervizorin grek. Po bëjnë një punë të shkëlqyer. Duken si një forcë ballkanike që po ndërton një tunel që quhet ‘long range’. Falënderoj ekipin e ARRSH-së që ka mbikëqyrur. Gjeologjia ka qenë e mirë krahasuar me problematikat e Rrugës së Arbrit, por edhe këtu ka pasur probleme. Kjo është një vepër e madhe, me 1 tunel tjetër ndihmës, me 11 pjesë lidhëse, por gjithçka ka shkuar ashtu si duhet. Në 1 qershor 2024 tuneli i Llogorasë do të jetë gati”, tha Balluku.