Rama: Ujësjellësi i ri i Gjirokastrës, fund gangrenës së depozitave të ndryshkura

Banorët e Gjirokastrës tashmë do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna për ndërtimin e ujësjellësit të Gjirokastrës.

Rama theksoi se ujësjellësi i ri i Gjirokastrës do të furnizojë me ujë 24 orë, duke i dhënë fund një herë e mirë gangrenës së vjetër të tubacioneve dhe depozitave të ndryshkura sipër tarracave të pallateve.

Ndërtimi i ujësjellësit ishte pjesë e programit të infrastrukturës me një financim total prej 8.2 milionë euro nga ku qeveria gjermane dha mbi 7 milionë euro dhe qeveria zvicerane dha mbi 1 milion euro.

Si rezultat, kapacitetet menaxhuese të ndërmarrjes së ujësjellësit Gjirokastër janë përmirësuar ndjeshëm, furnizimi me ujë është zgjeruar për të përfshirë furnizim 24 orë më ujë të pijshëm dhe niveli i kënaqësisë tek qytetarët është rritur.

Duke qenë se turizmi ka rëndësi për qytetin, punët kontribuojnë më tej për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, vizitorët dhe turistët.