Mësuesja nga Saranda bëhet virale në rrjet, tregon stërvitjet e çuditshme që ju ndihmojnë të humbni peshë

Ilmona Hamza është mësuesja nga Saranda e edukimit fizik e shëndetësor, që është bërë e njohur për shkak të stërvitjeve të çuditshme. Ajo tashmë “ka pushtuar” rrjetin me videot e saj, duke u bërë kështu edhe një burim frymëzimi për të gjithë ata që duan të humbin peshë.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Ilmona tregoi si e ka nisur këtë profesion, i cili fillimisht ishte thjesht një pasion.

Në fakt, historia ime është shumë interesante. Ka filluar që në klasë të tretë, kam pasur shumë qejf të merrem me gara vrapi dhe nuk munda të merrja dot pjesë në garën e qytetit. Unë jam rritur në Sarandë dhe mësuesi më stimuloi duke më dhënë një çertifikatë jo të vertetë, motivuese dhe fillova të mburresha. Të gjithë më lavdëronin dhe fillova të ndihesha keq, pasi nuk ishte e vërtetë. Kështu konkurova vitin e ardhshëm dhe mora çmimin e parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam pasur mësuesit e Fiskulturës shumë suportues që më kanë stërvitur. Edhe ka qenë mësuesja e Fiskulturës së gjimnazit që më kanë stërvitur, por nuk jam marr me sport tamam profesionist. Edhe ajo më tha që duhet të futesh në Universitetin e Sporteve se i gjithë fisi ishte për mjekësi. Mësuesja më tha që t’i duhet të ndjekësh, atë që ke qejf. Tani jam pak më ndryshe nga të tjerët. Tani unë jam mësuese e Edukimit Fizik në Kolegjin Turk. Gjithashtu jam edhe trajnere personale”, rrëfeu ajo.

Më tej, Ilmona zbuloi edhe disa këshilla se si këto ushtrime ndihmojnë në aspektin shëndetësor. Ajo mori edhe një shembull, për ushtrimet me litar, të cilat sipas saj, janë një mënyrë e mirë për të humbur kilogramët.

Kërcimi me litar është një mënyrë shumë e mirë për rënien në peshë. Janë ushtrime kardio. Nuk është e thënë që të bësh patjetër këto kërcimet e ngatërruara që bëj unë. Mjafton thjesht hedhje e thjeshtë për disa minuta. Edhe për të ulur barkun, është një mënyrë shumë e mirë. Varet nga individi, por rekomandohet një mesatare 30-35 minuta me një intensitet të ulët do të ishte shumë mirë”, tha Ilmona.