Koleksionisti i Dropullit, autokombainisti shpreson të ruajë traditën e zonës
Nje mini muze i veçantë në llojin e tij po lind në zonën e Dropullit në Gjirokastër. Kosta Çavo, autokombainisti nga fshati Vrisera, ka arritur të mbledhe rreth 170 objekte, të cilat tregojnë mënyrën se si banorët e kësaj zone kanë siguruar ushqimin dhe të ardhurat e tyre.
Objektet janë pajisje që janë përdorur ndër vite në bujqësi, blegtori si dhe në përpunimin e nënprodukteve bujqësore dhe blegtorale. Dëshira për të mbledhur këto objekte ju kthye në pasion dhe pasioni tanimë e ka kthyer në domosdoshmëri ekspozimin e tyre.
Secili nga objektet e mbledhura ka një histori jo vetëm të krijimit, por edhe të përdorimit.
Sot veshjet për dimër blihen në dyqane, por dikur zona e Dropullit i thurte vetë dhe Kosta ka mbledhur të gjitha pajisjet që u mundësonin grave të fshatit të bënin trikot.
Kosta shpreson që në të ardhmen e afërt këto objekte t’i ekspozojë në një ambient të posaçëm në shkollën e fshatit që të kenë mundësi të vizitohen, pasi është një pjesë e të kaluarës së vendit të tij dhe e shumë banorëve të tjerë që janë larguar dhe qëkur të kthehen të kenë një mini muze me objekte që të parët e tyre kanë siguruar jetesën.