Dalta që ka gdhendur jetën: Në vend të urimit për ditëlindjen e të parit skulptor të Sarandës, Niko Godrol

Nga Thoma Nika

Ngado të shetisësh nëpër Sarandë, has në gdhendjet e daltës së tij: plot mjeshtëri, plot dashuri. Të gjitha së bashku, janë si një autograf i artistit të daltës, në emër të dashurisë për jetën dhe të dashurisë për qytetin e zemrës.

Niko Godroli është i pari skulptor profesionist, që iu kthye sërish Sarandës, nga kishte shkuar për të studjuar në Universitetin e Arteve, në vitet ‘60. Nikua u bë dalta e parë, që i dha qytetit të tij subjekte monumentesh që i duheshin heroikës së kohës dhe portrete të spikatura figurash historike. Ai ka një Hasan Tahsin “të vetin”, veç atij që zë vend buzë shetitores buzë detit.

Shkëlqeu me të parin dhe të vetmin basoreliev të poetit kombëtar Naim Frashëri, që të shfaqet hirshëm në ballinën e godinës buzë detit, ku Naimi shërbeu si doganier më 1874-1876 dhe ku solli farën e bukonviles e të piperit të kuq.

Nikua e mban mend mirë çfarë ka hequr duke përzgjedhur në ish-guroren e Lëkurësit, gurin e duhur, nga do të dilte fytyra e Naimit, për t’i qëndruar si qiri i ndezur Sarandës.

Ky basoreliev ka plot 45 vjet atje. E vetmja mungesë e këtij portreti, ishte firma e autorit. Me gjasë, për shkak të modestisë së njohur të Nikos. Mendonte se “të gjithë e dinë që unë jam autori”. Por u bind që nuk është kështu, për arësyen e thjeshtë se koha do vulën e vet dhe e drejta e autorit e kërkon nënshkrimin. Ndaj verën e shkuar, nga Athina ku jeton, erdhi edhe me daltë e çekiç me vete dhe iu kthye sërish veprës së dashur, ku gdhendi mbi të inicialet NG. Dikush, që nuk e njihte, duke kaluar aty në ato momente, iu afrua dhe e “këshilloi” të mos vinte dorë “atje ku nuk të takon”.

Me urtësi dhe qytetari, Nikua i tregoi se kush ishte dhe se po bënte një gjë që i takonte vetëm atij.

Një jetë të tërë, edhe tani, që mban librezë pensioni në të dy shtetet, Niko Godroli bën gurin e mermerin të flasë, të humbasë ftohtësinë dhe t’u shfaqet njerëzve me lirizmin e figurinave të krijuara. Ai bën sot plot 78 vite jetë. Por kjo nuk ka ndonjë rëndësi, pasi Niko Godroli është mësuar që matës të jetës të mos ketë vitet, por punët e krijuara me daltë e me shpirt artisti. E të tilla ka mjaftueshëm, për të na bindur se është “moshë e tretë”.

Janë “të tijat” edhe “Vjelëset e rrushit”, që skulpturojnë lulishten përpara ndërtesës së Bashkisë së qytetit. Puna ku gjithashtu firmos NG, është ajo e “Dy delfinëve” buzë shetitores së Sarandës. Ai nuk mund t’i mungonte Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës, organizuar vite më parë. Brenda 10 ditësh, dalta e tij konturoi dhe na dha “Dy delfinët” e mrekullueshëm. Edhe sikur të gatshëm e “të fshehur” të kishin qenë ata delfinë, brenda formatit të mermerit të marrë nga punishtja e Sherifit, më shumë kohë do të donin. Por frymëzimi dhe angazhimi shpesh “djegin” kohën. Puna e Nikos, që po merrte trajtë dita-ditës, atje në Plazhin e Centralit, të kthyer për 10 ditë në studio në natyrë, çdo ditë rrethohej nga sy kurreshtarë.

Ndërsa tani duhet të jenë të panumërta hapat që ndalen dhe blicat që shkrepen e selfiet që bëhen me “Dy delfinët” në sfond, që merren me vete si një suvenir nga Saranda e Diellit, Detit dhe Dashurisë, që ofron.

Portreti i Vasil Llaçit është nga më të fundit dhe më të frymëzuarat punë të daltës së Niko Godrolit. Ajo mban datën 29 nëntor 2022.

Por nëse e pyet Nikon se kë ka skulpturën e tij më të dashur, ai, pa u menduar, thotë se është ajo e një nëne, me fëmijën në prehër. Arësyeja është tek dedikimi special, që ai e zbulon me sytë e njomur nga loti: “Ia kam kushtuar Nënës”, thotë, nga e cila tregon se mbeti jetim qysh kur ishte vetëm fëmijë 6 vjeçar.

Sa për Babain, ai i çon një “ndjesë” lart, në qiell, që jashtë dëshirës së tij u bë skulptor. Por Nikua nuk mund ta imagjinojë veten jashtë profesionit, që është një dashuri pa fund. Saranda gjithashtu nuk do të ishte kaq e bukur, pa artin e tij.

Ky 29 janar e gjen një vit më “të pjekur” edhe në këtë dashuri, të formësuar në skulpturën që firmoset Niko Godroli.

Mund të jetë një imazh i skulpturë

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe monument

Mund të jetë një ilustrim i 1 person, fëmijë dhe në këmbë

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme dhe monument

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Mund të jetë një imazh i skulpturë

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe skulpturë

Mund të jetë një imazh i monument

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë

Mund të jetë një imazh i 1 person

Mund të jetë një imazh bardhezi i mur me tulla dhe ambiente të jashtme

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Mund të jetë një imazh i bazen uji