Destinacioni i javës: Kalaja e Ali Pashës, Butrint, 18 km nga Qyteti i Sarandës

Kalaja e Ali Pashës ose kalaja katërkëndore ndodhet në grykëderdhjen e kanalit të Vivarit.

Ajo përmendet në hartën kadastrale veneciane të vitit 1718 dhe mendohet të jetë ndërtuar në formën e saj të plotë rreth viteve 1807- 1808 për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të vendosura në Korfuz drejt Butrintit.

Ajo ka planimetri katërkëndëshe me përmasa 30m x 22m, me nga një kullë në çdo kënd të saj.

Ndërtesa më e hershme brenda këtij fortifikimi është një kullë e madhe e përbërë nga tri ambiente me kupolë që kanë shërbyer si magazinë.

Gjithçka në ndërtimin e kësaj kalaje tregon se synimi kryesor ishte mbrojtja nga ana e detit.

Në këtë drejtim janë ndërtuar dhe kullat më të fuqishme të pajisura me frëngji të mëdhenj për topa ndërsa muri rrethues arrin trashësinë deri 2.8 m.

Kalaja i takon një periudhe të vetme ndërtimi pasi është ngritur brenda një kohe të shkurtër. Sot ajo mund të aksesohet vetëm me varkë përmes kanalit të Vivarit dhe detit Jon.