Lamtumirë i dashuri ynë, dr. Lefter Mano

Me dt.12.03.2023, humbi betejën me një sëmundje të rëndë e të pashërueshme bashkëfshatari ynë i dashur, mjeku i njohur në gjithë vendin, Lefter Pando Mano. Ai u përcoll për në banesën e fundit në Varrezat e Sharrës në Tiranë nga të afërm, miq, kolegë dhe bashkëfshatarë.

Në sytë e gjithësecilit shihej dhimbje dhe lot për një kryefamiljar të përkushtuar, për një bashkëshort tek i cili, Majlinda gjeti njeriun ku u mbështet fort dhe kaloi jetën me të, për një prind të nderuar që investoi shumë për fëmijët e tij. Lefteri u njoh nga një numër i madh njerëzish si një specialist që punoi dhe la gjurmë me shërbimin ndaj fëmijëve si mjek pediatër.

Ai ishte një qytetar human me zemër të gjerë, me të cilën i bënte njerëzit për vehte.
Lindi në vitin 1956 në një familje mursiote që trashëgonte cilësi e virtyte të fisnikërisë.

Ai u rrit e edukua nga prindërit e tij të mrekullueshëm, Nënë Gonia dhe Xha Pandua, të cilët qenë të respektuar nga të gjithë njerëzit me të cilët punuan e jetuan. Lefteri e ndjeu shumë mungesën e babait, i cili i la jetim bashkë me 5 vëllezërit e tjerë, por kjo u kompensua me vëmendjen dhe dashurinë e Nënë Gones, e cila i rriti dhe i nxori në jetë të gjashtë djemtë e saj .

Duke ndjekur rrugën e arsimimit të tij etapë pas etape, Lefteri i mbaroi studimet e larta në Fakultetin e Mjeksisë në vitin 1982, ku u diplomua si mjek i përgjithshëm dhe më pas u specializua si mjek pediatër.

E ushtroi për shumë vjet profesionin e vet, duke lënë gjurmë dhe mbresa të pashlyeshme tek të gjithë ata që morën shërbimin dhe përkujdesjen e tij si specialist i zoti në atë fushë. Jo vetëm banorët e qytetit të Tepelenës, ku punoi e jetoi për shumë vjet, por edhe të rrethinave, madje edhe të zonave të tjera, kanë patur tek Lefteri një mjek të zotin për fushën e vetë, një njeri të komunikueshëm e fjalë ëmbël, që ja bënte të lehtë shërimin çdo pacienti.

Pas viteve ’2000, Lefteri u transferua për të punuar e jetuar në Tiranë, ku e ushtroi profesionin e tij në Maternitetin “Koco Gliozheni”.

Lefteri punoi shumë dhe duket se u kujdes më shumë për të qenë në shërbim të të tjerëve sesa të vetes. Tashmë që duhej të pushonte, pasi arriti moshën e pensionit, fati nuk u ndodh në krahun e atij. Ne do donim që ky çast i ndarjes me të, të vinte sa më vonë dhe ai të jetonte sa më gjatë. Por në luftën që bëri për ta fituar betejën me sëmundjen nuk ja doli dot, për të ardhur te ky moment i dhimbshëm që na bën të gjithëve të ndjejmë dhimbje sepse po na ikën një njeri me vlera të veçanta, jo vetëm për familjen, por për miqtë dhe shokët, për tërë ata njerëz me të cilët Lefteri dha e mori mbresa të mrekullueshme.

Ky moment i ndarjes është i rëndë për familjen, vëllezërit, të afërmit, bashkëfshatarët, kolegët,miqtë dhe të gjithë ata që njohën. Bashkëshortja Majlinda duket sikur mbeti vetëm me një krah, pasi po i ikën mbështetja kryesore e jetës, bashkëshorti i saj i mrekullueshëm, kryefamiljari i përkushtuar deri në vetmohim për familjen dhe fëmijët e tij. Të tre fëmijët e Lefterit dhe Majlindes, Jona, Eri & Eva, sot janë të rritur dhe janë bërë të zotët e vetes falë babait të tyre që sakrifikoi shumë për t’i nxjerrë në jetë.

Këtej e në vazhdim ata do të mallohen të shkëmbejnë një fjalë me babin, të konsultohen me të, të kërkojnë ndihmën e tij, të cilën ai nuk nguronte ta ofronte për ta deri në çastet e fundit. Ne të gjithëve do të na mungojë një mik e shok i mrekullueshëm, një qytetar që përcillte mirësi tek të tjerët, një specialist i zoti i fushës së vet.

Ajo çka do të na ngushëllojë në një farë mënyre janë mbresat që Lefteri la tek të gjithë ata që e njohën. Nuk do të harrojmë figurën e tij si qytetar dinjitoz, fjalëmbël e të papërtuar për të qenë në krahun e atij që i kërkonte ndihmë. Ai po ikën, duke lënë një emër të nderuar të cilin do ta kujtojmë gjithmonë.
I qoftë e lehtë toka që do ta mbajë në gjirin e saj.
Ngushëllime familjes!
Qoftë i paharruar!