Thoma Papagjika, një pushtetar i profilit të lartë dhe i toneve të ulëta

Nga Thoma Nika

Nga Amerika e largët vjen lajmi se, më 29 nëntor, ka mbyllur sytë përgjithmonë Thoma Papagjika, intelektuali dhe njeriu I letrave, një ndër shërbëtorët e Sarandës, deri në pozicionin e kryetarit të ish-Këshillit të Rrethit, në vitet e vështira 1996-2000.

Megjithë problemet biografike, që ia bënë shumë të vështirë shkollimin e merituar, Thomait dhe gjithë familjes së prindërve të tij, përkundër dëshirës dhe vullnetit për t’u arsimuar, ai mundi të përfundojë një shkollë tregtare 2-vjeçare në Vlorë. E pas kësaj, të mund të marrë të drejtën për të bërë një kurs të thjeshtë për revizor në Tiranë, për të qenë një nëpunës i thjeshtë në komitetin e ish-kooperativave në kryeqytet.

Shfaqja hera-herës e “njollave” në biografinë e Thoma Papagjikës, bëri që shpejt ta lerë Tiranën, për t’u transferuar si llogaritar i ish-kooperativave të artizanatit në Sarandë.

Këtë ai ia ktheu vetes në një mundësi, sado që të mundimshme, për të vijuar gjimnazin e Delvinës, ku shkonte më këmbë tri herë në javë.
Vite më vonë ia doli të përfundojë studimet e larta për gjuhë-letërsi, në sistemin e korrespondencës. Nuk e preku dot asnjëherë ëndrrën e ushtrimit të këtij profesioni, por afërsia e tij me gjuhë-letërsinë, mbeti një pasion i madh e i përhershëm.

Disa nga detyrat që ka kryer kanë qenë: shef llogarie në ndermarrjen e ndërtimit e në atë të bonifikimit në Sarandë. Në vitet kur lufta e klasave u dallgëzua edhe më shumë, ai provoi mbetjen pa punë. E pas kësaj, bëri llogaritarin e thjeshtë në Pllakë e Finiq.

Dashuritë e Thoma Papagjikës në fushën e dijes ishin të shumëfishta. Po aq sa shqipen, ai dashuronte dhe përdorte italishten, greqishten dhe deri ditën e fundit të jetës nuk i pushoi përpjekjet që të mësonte edhe gjuhën angleze.
Përfshirja e Thoma Papagjikës ka qenë aktive në proceset demokratike.

Ai mbeti ikona e zgjidhjes dhe e menaxhimit të situatave ekonomike e atyre sociale, me urtësi e pjekuri dhe kundër akseseve, sidomos kur u zgjodh Kryetar i Këshillit të Rrethit Sarandë. Falë qenies së tij në pozicionin e njëshit në pushtetin vendor, u përballuan me qetësi e mençuri edhe ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997.

Thoma Papagjika është ndërkaq, simboli i intelektualit punëtor dhe aktiv. Sarandiotët kujtojnë kontributin e dhënë në përmbushjen e misionit të shoqatës “Agimi”, ndërkaq që ai bëri shumë për shkollat, në kuadër të investimeve madhore të kryera në rajonin më jugor të vendit nga Fondacioni “Sorros”. Por ai ishte edhe mik i sportit dhe sportistëve, miku i gazetarëve dhe nënshkruesi i disa artikujve vizionarë në disa gazeta e revista.

Para së gjithash, ai ishte një mik i madh i librit dhe koleksionues i rrallë i botimeve në vite. Në se do të pyesnim se cila ishte pasuria e tij më e madhe, përgjigja do të ishte prapë: LIBRI, biblioteka dhe botimet, nga të cilat vetëm vdekja e ndau. Bibliotekën dhe zakonin e të lexuarit të thellë, u ka lënë si trashëgiminë më të vyer, fëmijëve të tij.

Pas viteve ‘90, ai përjetoi dhe përfitoi nga liria e krijimit të munguar në vite. Nisi të shkruante dhe të përkthente intensivisht, si për të fituar vitet që i ikën duke mos e patur këtë liri. Ia doli të botojë tre libra, përkthime nga italishtja dhe në proces botimi la një libër të katërt me përkthime, që gjithashtu mban autorësinë e tij.

Përveç librave, ne do të “lexojmë” gjithnjë nga politesa dhe natyra e veçantë komunikuese e tij, me një gjuhë të thjeshtë dhe gjuhë kulture. Na mbetet të lexojmë në mirësinë e tij, në vullnetin e madh të tij, për të kryer punë të mira e të dobishme.

Me ndarjen prej tij, na duket se një detyrim e kemi në dorë t’ia plotësojmë vetes: për t’u afruar edhe më shumë me cilësitë e njerëzve të mirë si Thoma Papagjika, që po i pakësohen një nga një Sarandës.

Një “Lamtumirë” do të ishte fare pak, në përjetim të ndarjes nga Thoma Papagjika, pasi ikja e njerëzve si ai, krijon mungesa e boshllëk njësoj të ndjeshëm, si për familjen, edhe për komunitetin mbarë.