Projektbuxheti i vitit 2023, merr votën pro të Këshilltarëve Bashkiak të Sarandës
Mbledhja e fundit për këtë vit, e vendimmarrësve vendorë, ka qenë njëherësh edhe më e rëndësishmja. Të tillë e bëri atë një prej pikave të vëna në rendin e ditës, që ishte shqyrtimi i projektit të buxhetit, thënë ndryshe mënyra e ndarjes dhe përdorimit të “portofolit” të qeverisjes vendore për vitin 2023.
Mbi bazën e materialit të paraqitur nga ekzekutivi dhe duke dëgjuar analizën e komisioneve të veçanta që i bënë projektit të ri, këshilltarët drejtuan pyetje për sektorë e problematika të veçanta dhe bënë diskutime, duke shfaqur opinionet e tyre.
Një pikë e fortë e hartimit të këtij projektbuxheti, ishte evidentimi i propozimeve e sugjerimeve të marra gjatë dëgjesave të bëra me komunitetet dhe grupet e interesit. Me to, për herë të parë u përgatit një manual që ndihmoi për reflektimin në projekt, të drejtimeve të vlerësuara si prioritete për t’u mbështetur financiarisht, në fushën e investimeve dhe shërbimeve.
Për vështrim më të thelluar në elemente të veçanta të projektbuxhetit, pyetjet e këshilltarëve morën përgjigje adekuate nga shpjegimet e dhëna prej Kryebashkiakut Adrian Gurma, si dhe nga drejtorë të drejtorive të veçanta, si: e Financës e Ekonomisë, e Shërbimeve Publike, e Politikave Sociale, nga drejtoria Juridike, e Tatim-Taksave etj.
Pas pyetje-përgjigjeve dhe diskutimeve të bëra, këshilltarët i dhanë njëzëri votë miratuese projektbuxhetit të vitit 2023. Ky buxhet është në shumën 1.6 miliardë e 200 milionë lekë ose 25% më i lartë se ai i vitit 2022, ndërkohë që 35% e tij destinohen të shkojnë për investime.
Mbledhja e dhjetorit 2022 e Këshillit Bashkiak mori edhe vendime të tjera, që lidhen me dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1 – 30 Nëntor 2022 me fondin 6% të bllokskemës së ndihmës ekonomike; me dhënien e ndihmës ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë nëntor 2022, si dhe me kalendarin e programit buxhetor afatmesëm 2024-2026; me bursat për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2022-2023; me saktësim të vendndodhjes së parcelave të ndara me Këshill Bashkiak,në studimet e miratuara nga K.R.R.T.RSH etj.