Në vend të fjalës së Lamtumirës për Atdhetarin dhe Shkencëtarin Seniciot, Ylli Çabiri

Nga Thoma Nika

Senica ka një arësye më shumë për t’u krenuar me bijtë e vet.

Djali i Nasto Çabirit dhe bir i këtij fshati, me traditë të hershme në arsim dhe dije, Doktor i Shkencave Ylli Cabiri, është njeri prej atyre që na bëjnë krenarë.

Dimensioni poliedrik shkencor dhe kontributor i Ylli Çabirit është i madh.

Nëse ai ka bërë emër në qytetin e Elbasanit dhe në kryeqytetin shqiptar, Senica ka më shumë arësye për t’u krenuar e për ta nderuar.

E gjithë Shqipëria ka detyrime njohëse dhe vlerësuese si intelektual, por njëherësh edhe si veprimtar aktiv, në funksion të zhvillimeve emancipuese në rrafshin lokal, kombëtar dhe pse jo edhe në atë rajonal e ndërkombëtar. Kjo buron nga dimensioni intelektual i Ylli Çabirit, që konfirmohet dukshëm nga veprimtaria e tij intelektuale.

Ajo zë filll që nga viti 1981-1982 e deri në vitet 90, kur ai ka arritur të botojë në revistat a buletinet shkencore të kohës, një sërë artikujsh, që kishin të bënin me profesionin e tij si inxhinier. Ylli Çabiri paraqitet me 12 punime në fushën e studimit të çeliqeve dhe në përgjithësi të kushteve të prodhimit të tyre. Ai është dekoruar në fushën e transformimeve strukturore të çeliqeve me pak nikel dhe krom, në universitetin e Parisit në vitin 1981. Atëhere ka qenë një prej kulmeve të arritur prej tij, me mbrojtjen e Doktoratës në Francë.

Veprimtaria intelektuale e zotit Ylli Çabiri ka edhe një periudhë të dytë, që ze fill pas viteve ’90.

Ylli Çabiri e ka plotësuar intensivisht personalitetin e tij në këto 29 vite zhvillime demokratike, me protagonizmin e tij të drejpërdrejtë në shumë veprimtari e projekte zhvillimi, që kanë në fokus zhvillimin e mbarë Shqipërisë, sidomos përsa i përket aspekteve të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Ai mbahet mend si ministri i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë në Qeverinë e Stabilitetit dhe më pas në Qeverinë Teknike (1991–1992).

Dr. Ylli Çabiri gjatë viteve 1999 -2000 ka qenë anëtar i bordit të Drejtorëve të Fondacionit Shqiptaro–Amerikan të Zhvillimit, si edhe President i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor. Me tej: Ekspert ndërkombëtar, pranë institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, Ballkan, Europë e më gjerë.

Tek Dr. Cabiri ndërthuren shumë komponentë: shkencorë, profesionalë, intelektualë, po aq edhe njerëzorë, që rrallëherë i sheh tek një personalitet i vetëm.

Veprimtaria e tij shfaqet shumëplanëshe. Ndaj botime të tij ne sot i gjejmë në Londër e në Paris, i gjejmë në Bruksel, në Torino, në Uashington e Nju Jork e deri në Montevideon e largët. Një arritje më vete është botimi dhe promovimi mjaft intensiv dhe pritja me shumë interes, qe i është bërë, brenda e jashte vendit, librit të tij në profilin e politologut, të titulluar “Shqipëria mund të bëher. Me qeverisje të Vërtetë”.

Ylli Çabiri është ndër të paktët lobues për zhvillimin e qytetit të Elbasanit e po aq për Sarandën, Delvinën e veçmas nxitës i zgjidhjeve të mëdha zhvillimore të Senicës së tij.

Ate e bën të veçantë kontributi jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufirit.

Ylli Çabiri është personalitet, të cilit i flet vepra dhe puna. Ai renditet ndër intelektualët më të shquar shqiptarë ndër vite.

Dr Ylli Cabiri mbetet djali i ditur e i dashur i Senicës. Modestisht dhe përmes emocionit, shpesh e dëgjon të përsëritë, duke thënë se “Jam në borxh me të gjithë ju”.

Qyteti i Elbasanit e rriti profesionalisht e intelektualisht. Por, si atje edhe në Tiranë, atë e shoqëroi vëmendja dhe dashuria e paprerë për Sarandën dhe Senicën e seniciotët e tij.

Njerëz të tillë i bëjnë nder Senicës. Ne të gjithë jemi krenarë për të dhe për kontributin e ofruar prej tij, si dhe për vizionin dhe kontributin transformues të fshatit tonë të zemrës.