Aristidh Buzi, “zemereku” i punës me librin

U ndal fryma e frymëdhënësit të Sarandës, nëpërmjet librit. Kjo ndodhi pak ditë përpara Ngjalljes së Krishtit. Aristidh Buzi, simboli i papërsëritshëm i punës me librin. Ai mbylli një jetë si ekspert i punës me librin, në Bibliotekën e Sarandës për dekada me radhë e po ashtu në raftet e bibliotekave shekullore të Athinës, ku ai ishte njësoj i kërkuar për eksperiencën e tij të admirueshme. Duke dashur të mendojmë se ai është ende gjallë, postojmë këtë portret të tij, shkruar në të gjallë të tij.

Thoma Nika

Ai, njeriu i vetëdijshëm për “cenin” biografik, ishte njëherësh edhe njeriu i parë që të vinte në mend të kontaktoje me të vajtur në bibliotekën e qytetit, për të gjetur atë cka kërkohej. Qytetarët e vjetër të qytetit të vogël jugor kujtojnë punën titanike skeduese të bërë nga Aristidh Buzi.

Ai ishte si zemereku për orën në bibliotekën e Sarandës, që pa të ngecej në vend. Se sa e kish vlerën në atë institucion, u duk në vitet e para të mungesës së tij. Njeriu që tregon se si për 30 vjet ditën shtrohej në punë e fliste me librat, ndërsa natën priste të dëgjonte “Në emër të Popullit”, kish nevojë të ndjehej i lirë e me t’u hapur kufijtë, pas ’90-ës emigroi në Greqi.

Xhorxhi Vasili, një nga miqtë më të mirë të librit dhe të vetë Artistidhit, vlerëson tek ai pajisjen edhe me një kujtesë kompjuterike për vendin që zinte secili libër në fond. Zor të gjeje rekomandim më të saktë se për se duhej lexuar ai libër e jo ky tjetri, përvec që Aristidhi shfaqte edhe një kujdes të cuditshëm për shtyrjen e jetëgjatësisë së librit.. Ndërkohë që ai punonte me një pasion të pashoq për hartimin e bibliografive, që ishin si fjalorë enciklopedikë për fushat e zhvillimeve më të qenësishme të Sarandës.

Cidhja, sic e thërrasin shkurt atë, ishte personifikimi i njeriut më të dhënë pas librit, duke qenë dhe më i orinetuari në botën e librit e në fondin e bibliotekës së Sarandës. Në vite atje punuan edhe mjaft të tjerë, po askush si ai nuk mundej të trajtonte librin dhe lexuesin e tij me ngrohtësi e pasion dhe me dëshirën për të lënë gjurmë, pa ditur se ato do të fshiheshin në pak minuta nga flakët e zjarrit absurd. “Nuk më bëhet t’i hedh sytë andej, nga sheshi i zbrazur-thotë Arsitidhi.-Në se duke punuar në atë bibliotekë sa s’më pushonte zemra nga frika e persekutimit, sot më dhemb zemra për sa ka ndodhur”-shton ai, që tërë atë pasion për punën me librin e investon për pronarin grek në mes të Athinës, në një shtëpi botuese. Atje ai thotë se e mbajnë si në pëllëmbë të dorës, e paguajnë mirë dhe mbeten si peshku pa ujë kur ai vjen në Sarandë, por asnjëherë nuk ka ndjerë kënaqësitë që ka provuar në qytetin e tij dhe në bibliotekën që s’është më.

“Shakaja” me të huajt

Në kohën kur Saranda zhvillohej rreptësisht e kontrolluar në fushën e ndërtimeve, sikurse ndodhte edhe në cdo fushë tjetër, e vetmja ndërtesë “gjigande” që binte në sy edhe natën që së largu, nga Kanali i Cukës, ishte katërkatëshja, ku ishin instalaur avlëmendët e ndërmarrjes së sixhadeve e qilimave, që kishte përmasat dhe bënte punën e një kombinati, të bazuar kryesisht në punën e krahut e të dorës. Ajo binte në sy edhe për ndricimin “e tepruar” për kohën, me “farfuri” neonesh në cdo kat e ku punohej deri pas mesnate, shpesh deri në mëngjes.

Funksionari i lartë lokal i asaj kohe, që shoqëronte një delegacion të huaj në të kthyer nga Butrinti, duke mos dashur të merrej vesh se c’ishte në të vërtetë ajo godinë e për t’i rritur “piacën” qytetarisë së qytetit, bëri një “shaka” në përgjigje të kërshërisë së të huajve.

“Është biblioteka e qytetit”-u ishte përgjigjur ai, duke i cuditur ndoshta miqtë e huaj, se si qe e mundur që kaq shumë njerëz të binin “përmbys” mbi libra deri në atë orë të mbrëmjes së vonë.

Pavarësisht kësaj “shakaje” djallëzore, e vërteta është se biblioteka ishte vendi që edhe pse nuk ndricohej nga neone, ndriconte mendjet e qindra njerëzve që ia ndjenin nevojën asaj për t’u dhënë përgjigje sa më “adapte” punëve që i prisnin. Biblioteka dhe jo kafeneja ishte vendtakimi i preferuar i intelektualëve të fushave të ndryshme dhe për krijuesit më në zë të brezave, që nga Llambro Ruci e Niko Kacalidha, Limoz Dizdari e Luiza Xhuvani, Josif Papagjoni e Ymer Ciraku, Enver Isufi e Andrea Zarballa, Agim Mato e Vojsava Nelo.

Në pritje të transferimit

Biblioteka ekzistuese, në se mund të quhen kështu ca “mure” dërrasash në një korridor kati, disa rafte dhe asnjë vend uljeje për lexuesin, pritet të rikthehet në ditët e saj të mira. Sepse realisht ajo është në ditët e sdaj më të zeza.

Një bisht cigareje që mund të hedhësh përreth mund t’i kthejë prapë në hi edhe fondin e 10 mijë librave, për të cilin kanë kontribut qytetarët, si dhe fondacioni “Lidia” e Sorros. Për më tepër që kësaj të ashtuquajture bibliotekë i mungon tavani dhe në cast mund t’i bëhet gjëma.

Punonjësja e saj Shqipe Xhaferi thotë se për mungesë vendi kanë qenë të detyruar që mjaft libra t’i mbajnë nëpër kutira kartoni. Ndërkohë, drejtuesit shpresojnë për zgjidhjen që i duhet qytetit dhe qytetarëve me bibliotekën e tyre. Sipas Pasionare Nikës, drejtore e Qendrës Kulturore që ka në vartësi edhe bibliotekën, kjo është një gjendje e përkohshme që kalon ky institucion.

Bashkiakët janë me idenë që ajo të transferohet e të vendoset në mjediset e ish-shtëpisë së ushtarakëve, që një vit më parë, i kaloi nën administrim pushtetit vendor.

Një vit e më tepër kaloi, por duke qenë se ajo do të shndërrohet në një qendër komplekse sociale, ku biblioteka është vetëm një pjesë e së tërës, projekti është i kushtueshëm e aq më tepër zbatimi i tij, do kohë edhe para.

Atëherë, a nuk është biblioteka ekzistuese e dënuara me…burg pas afat??