Ura e Prokopit në Himarë, nisin punimet restauruese

Kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, në një tjetër objekt monument kulture kat I-rë, Ura e Prokopit, në bashkinë Himarë, pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për vitin 2022.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit të projektit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, kryesisht konsiston në: pastrim nga bimësia e lartë, konsolidimin e muraturës së urës nëpërmjet plotësimit të fugave, restaurim të shtresës së kalldrëmit, pastrim të fasadës nga pluhuri dhe depozitimet, vendosje gabionash për mbrojtjen e bazamentit të urës, qepje e çarjeve të urës me shufra inoksi si dhe vendosje tirantash tërthor për forcimin e strukturës.

Për vetë rëndësinë arkitektonike dhe historike që mbart kjo Urë, e shek. XVIII, me gjatësi 17.5 m, gjerësi 3.8 m, hapësirë drite të harkut 6 m, e cila emrin e ka marrë prej kishës që ndodhet në afërsi të saj, Kisha së Prokopit.

Brenda muajt nëntor ajo do të jetë plotësisht funksionale dhe një vlerë e shtuar ndër atraksionet natyrore e kulturore të ndodhura në bashkinë Himarë.