Sarandë, dëgjohen banorët e Shelegarit për projektbuxhetin 2023

Një tjetër ndalesë në Shelegar, ku u dëgjuan banorë të këtij fshati për çfarë i shqetëson si komunitet dhe ku mendojnë të ndërhyjë Bashkia me investime gjatë vitit 2023.

Kryebashkiaku Adrian Gurma u rikujtoi atyre disa nga punët e kryera gjatë këtij viti, si: në rrugët e brendshme, në përmirësimin e ndriçimit publik, për kanalet ujitës të tokave bujqësore, kalimin e gjithë aplikimeve për pronësinë mbi tokën etj.

Ai nënvizoi se investime edhe më të rëndësishme janë në projektin e buxhetit për vitin që vjen në Shelegar, duke veçuar se për ndriçimin do të destinohen 5 milionë lekë të reja, nga 16 milionë që janë për gjithë Bashkinë.

Banorët që morën fjalën në takim, duke nisur nga kryetari i fshatit Ilmi Beduli, vlerësuan mbështetjen në rritje për fshatin nga ana e Bashkisë.

Ndërkohë, banorët kërkuan që buxheti i ri të mbështesë me financim bërjen e rrugëve që mbeten problematike, zëvendësimin e shtyllave 50-vjeçare të ndriçimit, zgjidhje për një korsi shtesë në rrugën e hyrjes në fshat, deri tani burim aksidentesh, planifikimin e studimit urbanistik për zgjerimin e kufijve të fshatit dhe shtimin e sipërfaqes së varrezave.

Për furnizimin me ujë të pijshëm, Shelegari është përfitues nga investimi që është në përfundim për sjelljen e ujit nga burimet e Bistricës.