Muzeu i rilindur i Delvinës: Historia, tradita dhe jeta nën Enver

Një muze në oborrin e Bashkisë së Delvinës mund të konsiderohet pa tepri si ndër “punët e bukura” të viteve të fundit në këtë qytet.

Një trevë plot histori, ndër më të njohurat në jug për emra e ngjarje, deri me peshë kombëtare, si dhe me një traditë të vyer, vuante, që nga 97-ta, boshësinë e një muzeu. Ai ekzistuesi deri atë vit ishte zhdukur pa nam e nishan, me ato që bartte brenda. Veç ca fotove të vjetra në inventarin e Bashkisë, nuk posedohej asgjë nga e kaluara. Dhe ajo që konsiderohej e pamundur, u bë e mundur në një vit, edhe si shprehje e asaj se ç’mund të bëjë pasioni dhe këmbëngulja në rastet e një situate kur pothuajse nuk të avantazhon asgjë.

Edhe pse priret drejt një modestie, kryebashkiakja Majlinda Qilimi thotë se ideja fillestare e rindërtimit të një muzeu të qytetit ishte e saja, ngacmuar nga ajo ndjesi prej mësueseje, e cila nuk kishte çfarë t’u ofronte nxënësve të saj në mësimdhënie nga e kaluara. Kështu, atë brengë profesionale ndër vite, vendosi t’ja heqë jo vetëm vetes, duke ndërmarrë nismën kurajoze, tashmë me një rezultat të dukshëm.

Muzeu i ri i Delvinës përcjell një shkëlqim befasues në thjeshtësinë e vet, ardhur nga shumësia e relikeve dhe veçantia e tyre.

Më së pari është punuar me këndin e heronjve, ku një ndihmesë me foto e të dhëna teorike ka dhënë Arkivi i Shtetit dhe Komiteti i Veteranëve të Luftës. Çdo hero ka dhe dosjen e tij aty. Sigurisht nuk mungojnë dhe armët, municionet e veshjet ushtarake, që i japin prestigj këtij këndi.

Më pas vjen tradita, e cila ka ambiente dominuese. Duke iu referuar një modeli të odës karakteristike delvinjote marrë nga një foto e një familjeje të vjetër e me emër të zonës, pikërisht nga familja Delvina, është sajuar gjithçka si qëmoti.

Është gjithashtu dhe tradita artizanale, ku shumë relike janë dhuruar nga njësia administrative Vergo.

Por ajo që bie më së shumti në sy është një dhomë e epokës së Enverit. Edhe ajo tashmë është një histori për t’u rrëfyer, sipas kryebashkiakes Qilimi.

Periudha e komunizmit ka mesazhet e saj, ku arredimi i një shtëpie thotë shumëçka mbi kontekstet ekonomike, sociale dhe kulturore të kohës. Brezat e sotëm duhet ta njohin dhe atë kohë, qoftë dhe nga objektet përfaqësuese të saj në jetën familjare.

Shpirti i muzeut të Delvinës, dhurimi

Ky muze tregoi se delvinjotët e kanë akoma të gjallë krenarinë identitare, por më tepër se kaq kanë të gjallë virtytin e vullnetarizmit në një inisiativë që vjen nga politika dhe që ka për aksionerë vetë qytetarët. E gjitha baza materiale e muzeut është e dhuruar, sidomos nga delvinjotë që jetojnë në emigracion. Që do të thotë se thirrja e kryebashkiakes së qytetit për të kontribuuar me dhurime relikesh nuk u tret në boshllëk. Ajo pati një rezultat konkret, që është pikërisht ky muze. Pra, është muze i rilindur i qytetit, me autor vetë qytetin, zonën, banorët e saj.

Kryebashkiakja Qilimi i ka “në majë të gjuhës” ata dhjetra dhurues, duke u treguar mirënjohje që një ide, një vizion, falë tyre u bë realitet. U bë realitet jo duke u ankuar por duke vepruar.

Kësisoj, muzeu shërben dhe si një lloj shembulli se ç’mrekullira mund të ndodhin kur ankesat zëvëndësohen nga puna, ku dëshpërimi zëndëndësohet nga optimizmi, ku thatësirat e mendimit zëvëndësohen nga ide ambicioze.

Veç dhuruesve, znj. Qilimi rezervon një mirënjohje për deputeten Denaj, si mbështetëse kryesore në ide-realizimin e muzeut.

Një zë nga muzeu për delvinjotët: Vazhdoni dhuroni!

Por një muze nuk është diçka e mbarruar njëherë e përgjithmonë. Siç rrjedh jeta, rrjedh koha, ngjarjet, të cilat duhen dokumentuar e prezantuar për brezat e ardhshëm.

Jo vetëm kaq. E kaluara e Delvinës është shumë më tepër se ato ato metra katrorë gjithsesi plot histori e traditë. Kështu që ftesa për dhurimin vazhdon.

Të tjera kënde në muze presin të pasurohen me të tjera relike, nga të tjerë dhurues delvinëdashës me Delvinën në zemër, kudo qofshin.

Ndaj thirrja e kryebashkiakes Qilimi, që tashmë dhe thirrja e vetë muzeut, është ende aktive për të gjithë ata që në qoshet e harruara të shtëpive të tyre posedojnë diçka me vlerë, që të bëhen dhurues për këtë muze, për kërë krenari të re të Delvinës.

Perdet si qëmoti, nga duar të sotme

Një detaj interesant te Muzeu i Delvinës janë perdet, si qëmoti. Të gjitha ambientet janë të dekoruara me to. Por nuk janë të dhuruara apo të marra diku; janë të punuara në këtë kohë, apostafat për muzeun.

Kanë dalë nga duar grash delvinjote ende prodhimtare, të cilat e kanë e trashëguar këtë dhunti artizane. Pikërisht ato u angazhuan, vullnetarisht, që të ofrojnë për muzeun e ri dhe këtë pjesë të dekorit muzeal, po aq tërheqës. /Revista Saranda/