Destinacioni i javës: Xhamia e Gjin Aleksit, Rusan, 17 km nga qyteti i Sarandës
Xhamia e Gjin Aleksit ndodhet në fshatin Rusan, rreth 2 km në jug-perëndim të qytetit të Delvinës dhe rreth 17 km nga qyteti i Sarandës.
Një kompleks ndërtimor i shekullit të 17-të, përbërë nga xhamia e rrethuar me 4 tyrbe poligonale dhe kroi.
Xhamia është një monument me vlera të veçanta në llojin e vet, volumi kryesor i së cilës përbëhet nga portiku, salla e lutjeve dhe minareja. Salla e lutjeve mbulohet me një kupolë sferike ndërsa portiku përbëhet prej një sistem kupolash dhe harkada prej guri të mbështetura në 10 kollona.
Xhamia sot, përveçse është një monument i veçantë i trashëgimisë kulturore dhe destinacion turistik, përfaqëson gjithashtu një objekt kulti të rëndësishëm që frekuentohet nga shumë besimtarë për ritualet e tyre fetare.