Adrian Gurma pret ambasadorin e Norvegjisë dhe të Shqipërisë në Kosovë: Ja çfarë u bisedua

Kjo javë ka nisur me pritjen e dy diplomatëve nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma. Me Zotin Jens Erik Grøndahl, ambasador i Norvegjisë për Kosovën e Shqipërinë dhe Zotin Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, u konfirmua fakti që shqiptarët e Kosovës dominojnë ndër turistët nga trojet e po kështu edhe për realitetin e shtimit të pranisë së turistëve nga Norvegjia këtë verë, duke iu kthyer eksperiencës së viteve para pandemisë.

Kryebashkiaku Gurma u ndal në ofrimin e të gjitha lehtësive, shërbimeve e mundësive, që gjejnë në Sarandë turistët dhe rezidentët norvegjezë.

Mes kreut të Bashkisë Gurma dhe dy ambasadorëve u diskutua për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, me fokus turizmin në sezonin veror për Kosovën dhe atë të vjeshtës dhe dimrit për turistët nga vendet skandinave në përgjithësi e atyre nga Norvegjia në veçanti.

Ata vlerlsuan së bashku si shumë të rëndësishme perspektivën e afërt më të mirë, që do të sjellë bërja e Sarandës me aeroportin e vet turistik.
Të dy diplomatët lanë shënimet e tyre në Librin e Artë të Bashkisë Sarandë.