Rama: Rruga Kardhiq-Delvinë ka rritur vlerën e pronës në Gjirokastër

Kryeministri Edi Rama në takim me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, tha sot se qytetarët po blejnë dhe po marrin shtëpi me qira në Gjirokastër për të pushur në Sarandë.

Rama tha se Gjirokastër-Sarandë bëhet për 40 minuta me rrugën e re Kardhiq-Delvinë dhe turisti shijon Gjirokastrën dhe detin.

“Sot po shikojmë një tendencë të re që qytetarët blejnë ose marrin me qira shtëpi në Gjirokastër për të pushuar në Sarandë, sepse sot Sarandë bëhet për 40 minuta dhe të kesh detin 40 minuta përmes rrugës së re të Kardhiqit, të kesh detin dhe Gjirokastrën njëkohësisht pjesë të ofertës është fantastike. Plus rritja e ofertës që nuk ekzistonte. Çfarë oferte kishte në Tepelenë, zero. Po Përmeti çfarë oferte kishte? Kur ne kemi nisur këtë rrugë, Gjirokastra ishte i vetmi vend ku vinin vizitorët dhe turistët dhe futeshin ose te hotel turizmi apo dy tre pika të tjera që kishte aktivitet. Sot kur vjen në Gjirokastër krahasuar me më parë, ke muzeume, ke pika të tjera por mund të kalosh një javë dhe më shumë. Po u fute dhe Sarandën brenda mund të rrish edhe 15 ditë”, u shpreh Rama.

“Kur unë thoja Nivica do bëhet ku do vinë të huajt, talleshin se s’kishin faj. Aty jo të huajt, por aty edhe ata që banonin mendoni të merrnin rrugën për poshtë. Sot kemi ardhur në pikën që për Nivicën ka më shumë kërkesë çfarë ne ofrojmë. Ai investimi suedez në Nivicë është shumë domethënës edhe për një arsye tjetër dhe unë do ju sugjeroja ju dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në botën e turizmit të shkojnë dhe të bisedojnë me ta për të parë se me pak mund të bëhet akoma më shumë. Është një investim që nga pikëpamja financiare është më i vogël se investimet tuaja. Ama, aty çmimet janë më të larta se çmimet tuaja. Si shpjegohet kjo? Sepse ky është luksi në fakt që kërkon një turist i cili nuk është turist i masës por është turist i kategorisë elitë”, tha ai.

“Vajta në Nivicë për të vizituar kur e hapën dhe ka aty një rrugë 2 km tmerr që shkon në atë vendin ku janë ata. Në atë moment u përpoqa të flisja me Fondin e Zhvillimit dhe vajta dhe i thashë, tani të bëjmë dhe këtë rrugën. Jo tha në asnjë mënyrë, sepse është pjesë e ofertës që vihet në një vend që është natyral”, u shpreh ai.