Primaret në PD, emrat e mundshëm që garojnë për Bashkinë Gjirokastër

6 dhjetori është data e fundit e votimit për primaret në Partinë Demokratike, për të përcaktuar kush do të jenë kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Ndonëse në Bashkinë Gjirokastër gjasat që PD-ja të fitojë janë shumë të pakta për një sërë arsyesh, opozita do të dalë patjetër me një kandidat në garë. Por cilët janë disa nga emrat që përfliten më shumë për të kandiduar në primaret brenda Partisë Demokratike?

Përveç gazetarit Telnis Skuqi që jeton në Norvegji dhe që është vetëofruar si kandidat, Ylli Asllani mbetet gjithashtu një emër tjetër. Derisa në krye të PD-së u rikthye Sali Berisha, rikthimi i Ylli Asllanit nuk është çudi e as duhet paragjykuar.

Me siguri edhe vetë Berisha do të ishte më komod për Gjirokastrën me një kandidat si Ylli Asllani, bashkëpunëtorin e tij të vjetër dhe një figurë e pranueshme gjithashtu nga Ilir Meta. Julian Graçi mbetet një emër tjetër i mundshëm për të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjatë qeverisjes së PD-së ai ka qenë drejtues në disa institucione në Gjirokastër. Lista pasohet me Dasho Alikon-ish-kryetarin e Komunës Lazarat, Beqir Gjikën, ish-kryetarin e Komunës Picar dhe Irena Shehun, pedagoge në universitetin “Eqrem Çabej”. Megjithatë derisa të finalizohen primaret gjërat do të lëvizin dhe emra të tjerë mund të dalin në skenë.

PD ka më shumë se 20 vite që nuk e qeveris Bashkinë Gjirokastër.

I fundit kryebashkiak i djathtë ka qenë Ylli Asllani në vitet 1996-2000. Pritshmëritë për ta rimarrë bashkinë në zgjedhjet e 14 majit janë të pakta edhe brenda vetë radhëve të opozitës, lë më pastaj në elektoratin e gjerë.