‘Nga gjiri në mushkëri’, sfidat e Arta Haxhiut: Jetoj në Sarandë dhe trajtohem në Tiranë, më ndihmoni të zhvendosem për kurim
‘Isha me tumor në gradën e tretë femër!’ Kur mori vesh këtë lajm, Arta Haxhiut iu shemb bota. Përjetimi i kësaj sëmundjeje nuk ishte aspak i lehtë për të.
Vajza maturante dhe bashkëshorti iu kthyen në mbështetjen më të madhe për të përballuar situatën e vështirë nga kanceri i gjirit.
‘Ajo ishte një diçka Brenda trupit tim dhe unë ndjeja një lodhje shumë të madhe pa bërë apsolutisht asnjëlloj pune. Vajza nuk e pranonte në asnjëlloj mënyre. Më thoshte mami ti nuk ke apsolutisht asnjë gjë, ka përparuar teknologjia dhe ti do bëhesh mire si të kesh një grip dhe do të kaloj. Më jepnin kurajo dhe më thoshte: ‘Mami ke shumë gjëra për të bërë, për mua, për neve , për familjen tone. Edhe bashkëshorti më ka ndihmuar shumë, madje mund të them që më ka larë si fëmijë.’- u shpreh ajo.
Arta tregon se goditjen më të rëndë psikologjike, e mori kur flokët nisën t’i rralloheshin.
‘Psikologjia shumë e rënduar. Vendosja çdo ditë dorën në flokë e më binin flokët atëherë më thotë im shoq që ‘Jo, kjo gjë nuk duhet të ndodh që të shikosh veten çdo ditë të të biem flokët. Të lutem ulu në karrige dhe do të t’i pres.’ Dhe i preva zero. Kam bërë 8 kimioterapi, 3 javë rreze dhe pas asaj sigurisht kontrolle. I kisha çdo 3 muaj, por unë e ndjeja që diçka nuk shkonte me trupin tim dhe i thoja do të vij muajin tjetër.’- tha ajo.
Stabilizimi i saj shëndetësor, ishte thjesht i përkohshëm. Pak muaj më parë, 44- vjeçarja mësoi se kanceri i ka prekur edhe mushkëritë.
“Dhe nuk e prisja. Mendoja që do kisha kaluar ndonjë COVID, do të kishte lënë diçka pas. Më thonë që tumori nga gjiri ka shkuar në mushkëri.’- u shpreh 44-vjeçarja.
Banuese në Sarandë, Arta Haxhiu është e detyruar të banojë në Tiranë për të ndjekur terapinë. Është e vetëdijshme se shpenzimet do të jenë të pallogaritshme, ndaj apeli shkon për ndihmë.