Memorja filmike e të gjithë sarandiotëve
Nga Thoma Nika, tetor 2016 në kujtesë të telekronistit Ismet Llanaj
Nuk di si kam mundur ta bëj këtë foto. Me siguri, duke u grindur me të.
E sigurt është që m’u desh të lodhesha, për ta gjetur në arkiv, këto ditë, kur u shua telekronisti historik i Sarandës.
Nuk e kishte aspak qejf fotografinë. Se të gjitha gjërat e ngrira nuk i pëlqenin Ismet Llanajt. Po të përdor shprehjen e tij, e kishte “mortje” plogështinë, njësoj siç na vjen ndot nga uji i ndenjur.
E donte veten dhe të tjerët në lëvizje, në ecje, në kërkim, në udhëtim. Edhe kur ishte vetëm për vetëm, ai bënte dialog. Dialog me shtëllungat e tymit të cigares, me gradacionin e rakisë, me mendimet e dyzuara, e sidomos kur në mend i vinin tipa të dyzuar.
Ishte aq i kthjellët e i prerë në atë që kërkoi në jetë nga vetja dhe nga të tjerët.
Me këtë kthjelltësi dhe me forcë e cilësi karakteri, “doli” nga rrobat e oficerit, për ta shprehur veten, duke provuar të bëjë atë që quhej kulturë masive, pasi i drejtohej masës së njerëzve dhe bëhej për konsum masiv.
Me këtë profil, e pa veten në portat e gazetarisë. Dhe një ditë i tha “po” kërkesës së nomenklaturës për të bërë telekronistin e TVSH.
Për disa dekada, do të bëhej memorja filmike e Sarandës dhe sarandiotëve.
Vetëm lëvizje. Kamerën metalike plumb të rëndë në sup, bobinat filmike në çantë, gaz motorrit “Java”. Dhe të gjitha ditët e javës në terren, ku ishin njerëzit e punës, të kohës së partisë, që punën e kish në “mbiemrin” e saj.
I palodhshëm dhe pasionant si gazetar terreni. Aq aq sa vije bast që edhe Ismeti kishte të montuar brenda vetes një motorr, që nuk i fikej. Ndryshe nga motorri me rrota, që shpesh gulçonte i lodhur, apo ndodhte të fikej duke ecur në rrugët pa rrugë.
Ndërsa do të vinte 19 tetori 2016, që Ismet Llanaj të fikej edhe vetë e të ndahej përgjithmonë prej nesh.