Kardhiq-Delvinë, SPAK merr të pandehur ish-drejtoreshën e tenderave në ARRSH, Elona Gogo

Pas afro tri vitesh, Prokuroria e Posaçme finalizoi hetimet dhe pritet të dorëzojë në gjykatë dosjen penale me shkeljet e konstatuara në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Elona Gogo, ish-kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave është marrë e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Nga hetimet e SPAK që nisën pas kallëzimit të kompanisë Gjoka, rezultoi se në kundërshtim me ligjin, Gogo e ka skualifikuar këtë kompani nga tenderi duke favorizuar në këtë mënyrë atë fituese. Për të njëjtin tender, pritet t’i komunikohet akuzë edhe ish- drejtoreshës së autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato.

Ish-zyrtarja ishte ftuar nga SPAK për t’u njohur me rezultatet e hetimit me datë 20 tetor, por nuk u paraqit, për arsye shëndetësore. Burimet thanë se ish-zyrtares pritet t’i dërgohet një fletëthirrje e re nga ana e prokurorisë.

Ndërkohë që Gogo është paraqitur në institucionin e akuzës dy ditë më parë e shoqëruar nga avokati i saj Sokol Hazizaj. Pasi janë njohur me aktet, pritet që brenda 10 ditësh ata të paraqesin argumentet e tyre e më pas dosja t’i dorëzohet gjykatës.

Hetimi për abuzime me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë nisën pas kallëzimit të kompanisë Gjoka, e cila merrte pjesë në tender për ndërtimit e njërit prej loteve.

Kompania në fjalë kishte paraqitur mes të tjerash edhe një dokument, përmes të cilit kishte ndërtuar 70 për qind të tunelit në rrugën e Arbit, rrugë që po e ndërton me koncesion.

Atëkohë drejtoresha e Autoritetit rrugor ngriti një grup pune për të verifikuar volumet e punimeve në tunel e duke vlerësuar se dokumenti i paraqitur nga Gjoka përmbante të dhëna jo të sakta u vendos skualifikimi i kompanisë nga tenderi i Kardhiq-Delvinës.