Kisha monumentale e Senicës: 200 vjet histori besimi

Nga Thoma Nika

Senica është fshati që Kishën e vet e ka ngritur në krye të fshatit. Rastësi? Aspak: Një fshat që është ballkon i gjithë zonës, ballkon të vetin ka besimin në Krisht e Shën Mari. Atë nuk e ka negocuar dhe diskutuar, as kur iu ofruan privilgje e prona dhe as kur kjo besnikëri seniciotëve iu kthye në arësye për mbijetesë.

Këtë 22 tetor bëhen plot 200 vjet nga koha kur është vënë guri i saj i parë në Shën Dhimitrin e Senicës.

Ndërsa ka 32 vite, që e kthyera ne depo duhani nën diktaturë, është kthyer prapë në altar lutjesh e meshash, vend pelegrinazhi e qetësimi të shpirtërave.

Kisha e fshatit tonë, një monument kulture shumë hijerëndë, me gurë të skalitur jashtë e brenda, me këmbarë guri të rrumbullaktë, me Ajodhimën e hijshme dhe sidomos me këmbanoren superpozante, i mban dyert hapur në çdo orë të ditës. Dera e saj vetëm tërhiqet, nuk mbyllet.

Dita-ditës ajo plotëson portretin e vet, duke dashur t’i përafrohet kohërave të saj më të mira. Një ceremoni për t’u mbajtur mend ishte ajo e tetorit 2017, kur në Ditën e Shën Dhimitrit, nën drejtimin e At Gjergjit, u mbajt një meshë shembullore, me pjesëmarrje përtej çdo pritshmërie.

Djemtë e burrat seniciotë në këto vitet e fundit i janë kthyer edhe gjelbërimit të mjedisit të jashtëm të Kishës, duke mbjellë fidanë qiparisash të rinj.
Nga 200 vite histori besimi, na vijnë në ditët e sotme disa figura fetare.

Kujtohet Papa Filipi i Çollake e Papa Petro Kaçi. Kujtohen edhe Epitropët që kanë shërbyer në vite, si: Lolo Gjini, Gaqe Nani, Sotir Velo, Koço Jorgji, Miho Jorgji e deri te Miho Gjika

Në vitet e para të rikthimit të lirisë së besimit, nuk harrojmë se Fortlumturia e Tij Anastas, ishte i pari që ndjeu dhe dha bekim për këtë Kishë, duke u bërë nxitës për kthimin e çatisë. Mirënjohja e seniciotëve i ka shkuar Fortlumturisë në kohën e duhur.

Disa donacione te besimtarëve më fanatikë, bënë që të rikthehen simbolet dhe portretet e dishepujve dhe shenjtorëve.

E kjo është një stafetë, e cila u pasurua dhe Kishës së Shën Dhimitrit i shtoi simbole e ikona të stampuara në xham, që tani zenë vend në secilën prej dritareve.

Ky fshat Kishën ka si “odën e pritjes” dhe odën e historisë, si fshat qëndrestar dhe fshat i dy besëlidhjeve të mëdha historike.
Pajisja me ndenjëse tipike kishëtare dhe rindërtimi i llozhës së dikurshme të Kishës monumentale të Senicës, janë dy prej punëve që na presin t’i bëjmë. Dhe do t’i bëjmë.
E nesërmja do të jetë më e bukur dhe më e bekuar.