Festohet 9- Tetori, dita e Çlirimit të Sarandës
Nën një diell si në ditë pranvere, Saranda festoi 78-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit.
Organizata e Veteranëve të LANÇ në Sarandë, duke patur mbështetjen e Bashkisë së Sarandës, organizoi homazhe dhe nderimin e të rënëve për Çlirimin e Sarandës.
Në Lapidarin kushtuar të rënëve të 9 Tetorit 1944, që ngrihet në Qafë të Gjashtës, vendosi kurorë Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma, Prefekti i Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, në emër të deputetëve Anila Denaj e Niko Kuri, si dhe nga Komiteti i Veteranëve, Shoqata e Familjeve tëDëshmorëve, nga Këshilli Bashkiak, nga Komisariati i Policisë së Rendit e ai i Kufirit dhe nga degët lokale të subjekteve politike PS e PD.
Nxënës të shkollës që mban emrin “9 Tetori”, nuk mund t’i mungonin ceremonisë nderuese.
Pas homazheve, me veteranë e pasardhës u mbajt në Sarandë një takim nderues, të cilin e hapi Neriman Gjivogli, Kryetare e Komitetit të Veteranëve. Ajo tha se është rasti të nderojmë kujtimin e 14 partizanëve të rënë në ditën e çlirimit të Sarandës, si dhe rënien e 6 ushtarëve anglezë.
I njëjti vlerësim u shpreh edhe në fjalën e rastit, që mbajti ish-ushtaraku Ymer Merkaj. Ai nënvizoi se partizanët ishin faktori vendimtar për çlirimin e Sarandës, ndërkohë që nuk mohohet mbështetja nga aleatët në këtë luftë.
Të pranishmit në takim i përshëndeti Adrian Gurma, Kryetar i Bashkisë së Sarandës. Ai tha se vlerësojmë traditat patriotike e ato të luftës çlirimtare dhe ishte falenderues për mbështetjen e marrë nga veteranët e luftës e të punës dhe pasardhës të tyre, e cila është shumë e çmuar për qeverisjen e mirë.