Falsifikim dokumentesh për tjetërsim tokash në Himarë dhe Dhërmi, “Formulari” vë në pranga 6 persona

Tjetërsuan 59 mijë m2 tokë në bregdetin e Himarës, lëshohen 24 masa sigurie, 6 prej tyre arrest në burg. Vlera e pronave që kanë tjetërsuar të dyshuarit kap shifrën e rreth 8 milionë eurove.

Në kuadër të hetimeve një vjeçare në Himarë, ekzekutohen 6 masa sigurie “Arrest në burg”, 8 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, 8 masa sigurie “Detyrim paraqitjeje” dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, për veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.

Në vijim të operacionit të koduar “Formulari, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë vijuar hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në veprimtaritë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Formulari”.

Si rezultat i këtij operacioni të shtrirë në një vit u bë ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për caktimin e masës e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve“, të kryera me shumë se një herë, në bashkëpunim, për 6 shtetas:

A. V., 56 vjeç, S. Dh., 33 vjeç, S. J., 58 vjeç, V. M., 60 vjeç, A. D., 57 vjeç, të gjithë banues në Himarë dhe D. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.

U bë shpallja në kërkim e shtetasve: P. L., 49 vjeç, banues në Dhërmi dhe I. Gj., 42 vjeç, banues në Himarë, pasi Gjykata iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtat vepra penale.

Në vijim të operacionit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: A. Gj., I. R., S. L., Dh. L., N. L., A. Dh., A. Gj. dhe J. M., banues në Dhërmi dhe në Himarë.

Gjithashtu u ekzekutuan masat e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, për shtetasit:

P. X., E. B., S. B., A. A., A. L., J. Z. dhe M. R., banues në Dhërmi dhe në Himarë, si dhe G. A., banuese në Vlorë.

Nga veprimet e kryera gjatë periudhës hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar formularët e Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi, për të përfituar sipërfaqe toke (truall) në zonën e bregdetit, në Himarë dhe në Dhërmi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.