Dr. Fiqiri Laze: Në 45 vjet, kam pritur mijëra foshnje në Sarandë
PORTRET/ Megjithëse në pension ai sot mbetet mjek gjinekolog me vlera mes mjekëve të tjerë në Sarandë
Është pak të flasësh, është pak të shkruash, është pak ta mburrësh si njeri dhe si mjek, qytetarin sarandiot, njeriun e përkushtuar dhe specialistin e mirë të fushës së tij Dr. Fiqiri Laze. Gjithmonë njeriu i mirë mbetet, edhe mjek i mirë, gjithmonë intelektuali i ditur mbetet dhe bëhet edhe profesionist i formuar.
Është vetë profesioni që të ngjall vullnetin për të mësuar e lexuar çdo ditë, për të hyrë në detajet e tij, në hallet dhe problemet e nënës dhe fëmijës, pasi nga ty si mjek varet jeta e tyre. Profesioni i mjekut mbetet sa human aq dhe fisnik dhe pikërisht tek Dr. Fiqiri Laze janë bashkuar të dyja, humanizmi dhe fisnikëria. Ai sot është pensionist por vlerat si mjek gjinekolog i ruan edhe sot.
E takuam tek tregu. Bleu një tufë çaj mali. Është ilaç, – na tha, të shëron. E ndërsa flasim me doktorin ai flet me mall për profesionin. Kemi qënë të përkushtuar dhe kemi bërë më të mirën me ato mundësi që kishte koha, vijoi duke treguar më tej doktor Fiqua. Puna ime ka qenë shumë e vështirë por ama ishte shumë humane se t’i shërbesh nënës dhe fëmijës është vepër e madhe.
Kultura mjekësore për kohën time ishte shume e vlerësuar. Çdo gjë ishte e kontrolluar dhe me përgjegjësi, na thotë mjeku Fiqiri. Kam mall për profesionin tim. Por mosha bën të vetën dhe nuk e ushtroj dot sot, shprehet me buzë në gaz por edhe me sy malli për kohën kur doktor Fiqiri Laze sillte në jetë fëmijë…..