Deputetja e Sarandës: Sot nis një rrugë pa kthim për të drejtat e pedagogëve dhe studentëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh se “sot është dita e pedagogëve dhe studentëve ndaj le të nisë nga sot një rrugë pa kthim për të drejtat dhe dinjitetin e tyre”.
“Nisja e vitit të ri akademik duhet të ishte një moment gëzimi për koleget e mi pedagog dhe për studentet tanë. Fatkeqësisht nuk është kështu! Pedagogët janë në protestë me kërkesat e tyre të drejta dhe realisht të arsyeshme dhe minimaliste. Sot në orën 10:00 protestojnë sërish dhe bojkotojnë mësimin. Ata kërkojnë: rritjen e pagës 30 % këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm si parakusht për të venë sado pak në rrugën e zgjidhjes çështjen e trajtimit dinjitoz të punonjësve të universiteteve, përfshi stafin akademik dhe atë ndihmës”, tha Zhupa.
Po ashtu, sipas saj, “pedagogët kërkojnë rritjen e financimit për kërkimin shkencor; rivendosjen e shtesave mbi risqet për dëmtimin e shëndetit në punë; rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë; rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare; rivlerësimin e orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit me seminarin; rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare; pezullimin deri me 2026 i zbatimit të doktoraturave të udhëhequra për kriteret e marrjes se titullit “Profesor’; bërja transparente e buxhetit dhe te ardhurave të universiteteve publike”, tha ajo.
Ndërkohë, sipas Zhupës, studentët janë të harruarit e qeverisjes.
“Që nga viti 2019 e sot çdo ditë e tyre edhe familjeve të tyre ka qenë më e vështirë ekonomikisht por askujt nuk pyet. Atyre dhe familjeve të tyre u është rritur kosto e qerave të shtëpisë në Tiranë; është rritur kostoja e transportit; është rritur kostoja për tu ushqyer;
është rritur kostoja për tu veshur; është rritur pagesa e librave, është rritur pagesa e orës internetit. Çdo faturë ka shkuar dyfish dhe qeveria nuk jep asgjë si paketë ndihmë financiare”, tha Zhupa.