Deputetja e Sarandës: Nuk ka asnjë plazh në vend që plotëson kriteret
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, duke marrë fjalën sot, në seancën plenare të Kuvendit, në interpelancën e kërkuar me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ngriti shqetësimin mbi mungesën e sigurisë dhe të standardeve në plazhe.
“Vendi ynë është i bekuar nga natyra dhe njerëz shumë punëtorë, por i mallkuar nga qeveritarë që nuk i kryejnë detyrat e tyre”, tha Zhupa.
Zhupa solli në vëmendje disa ngjarje të hidhura që ndodhën gjatë këtij sezoni turistik. Ajo tha se “mjafton një google i thjeshtë që të shihni si mbytet i mituri, mbytet djali i dytë, mbytet 40-vjeçarja etj. A ka përgjegjësi ministrja për këto? Të gjithë e mbani mend vrasjen në Himarë. A kishte përgjegjësi Mirela Kumbaro. Në një shtet tjetër do isha duke bërë interpelancë me ministër tjetër se Mirela Kumbaro do të kishte dhënë dorëheqjen”.
“Ministrja është përgjegjëse për dhënien e licencave për stacionet e mjeteve, për rrethimin e perimetrit. Nëse do ishin kryer këto, a mendoni se do ishte kryer ajo tragjedi? Ministrja shkonte natën në Durrës për të inspektuar plehrat, ndërsa ditën plazhet lëngonin nga plehrat”, tha Zhupa.
Sipas Zhupës, në Shqipëri nuk ka asnjë plazh të sigurtë që plotëson kriteret, mes të cilave përmendi pastërtinë, ujin e testuar, shërbimin e mbikëqyrjes e shpëtimit apo pastrimit të mbeturinave.
“Dua t’ju tregoj një skemë. Pikat blu janë plazhet e sigurta dhe Shqipëria nuk ka asnjë të certifikuar në flamurin blu. Nuk ka asnjë plazh të sigurtë dhe që plotëson kriteret. Plazhi duhet të ketë ujë të testuar çdo javë për pastërti, duhet të ketë hartë me objektet ekzistuese, mbeturinat mblidhen dhe rëra pastrohet, ka shërbim mbikëqyrje e shpëtimi, ka ndihmë emergjente, nuk ka transport motorik në plazh. Janë 32 kritere, por dua të ndalem vetëm tek disa si, kontrolli i cilësisë së ujit në plazhe, kushtet për personat me aftësi ndryshe në plazhe, mbikqyrja e shpëtimit etj. Po le të na thotë vetë ministrja për problematikat dhe ecurinë e sezonit turistik të këtij viti”, tha Zhupa.