Vendoset pllaka me emrin e autorit tek shatërvani i shtëpisë së femijës “Vangjel Pulla”

Shatërvani me skulpturën e peshkut në mjedisin hyrës për në Shtëpinë e Fëmijës “V.Pulla” në Sarandë, është kthyer në imazh identifikues të këtij institucioni social. Autor i tij është mësuesi i vizatimit dhe për disa vite edukator në këtë Shtëpi Fëmije, artisti Jani Marku. Në kujtim dhe nderim të veprës së tij, (pas vdekjes), pranë ansamblit skulpturor të realizuar në vitet ‘80, u vendos pllaka me emrin e autorit Jani Marku, duke bërë të realizueshme një kërkesë të familjarëve të tij, të mbështetur nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës me mbishkrimin “Ky shatërvan është realizuar nga skulptori Jani Marku”, morën pjesë Nënkryetari i Bashkisë, Romeo Çakuli, familjarë të autorit, drejtuese e edukatore të institucionit, si dhe fëmijë që banojnë e marrin trajtim social në të.

Për krijimtarinë në pikturë e skulpturë të Jani Markut, si dhe për gjurmën e tij të pashlyeshme, si mësues vizatimi i disa brezave në Sarandë, foli piktori Lefter Çeko, drejtor i Galerisë “Art-Saranda”.

Kolegja e Jani Markut për disa dekada, Lumturi Xhani, ish-drejtore e Shtëpisë së Fëmijës, tha se “Ky institucion e ka këtë shatërvan pjesë të identitetit të vet dhe bëhet mirë që sot vihet në vend edhe identiteti i ideatorit dhe realizuesit të tij pasionant, Jani Marku”.

Në emër të familjarëve Gjergji Marku, i biri, ka falenderuar Bashkinë, Kryetarin e saj Gurma dhe drejtuesit e institucionit, për mbështetjen dhe mundësinë e vendosjes së pllakës me emrin e Jani Markut, në skulpturën e bukur të Shtëpisë së Fëmijëve.

Drejtorja Stela Dako tha se prej ditës së sotme, me pllakën e vendosur te shatërvani, institucionit iu shtua një vlerë identitare e munguar.

Ndërkaq ajo tha se është në detyrimin e tyre që, krahas përkujdesjes për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve që janë aktualisht në këtë Shtëpi, të promovojnë arritjet, si dhe të evokojnë momente të qenësishme të historisë të institucionit, në kuadër edhe të përgatitjeve për të festuar sivjet 75-vjetorin e krijimit të institucionit social më të hershëm e më të madh, që Saranda ka.