Turizëm edhe në vjeshtë/ Ksamili pret qindra turistë në shtator, Synohet zgjerimi i sezonit

Sezoni turistik në Ksamil po vijon edhe në këto ditë të shtatorit. Operatorët turistikë atje thonë se presin që sezoni turistikë të vijojë jo vetëm gjatë këtij muaji, por edhe në pjesën e parë të tetorit, duke bërë kështu zgjatjen e sezonit.

Turizmi i vjeshtës këtë vit pritet të jetë më i miri i viteve të fundit për Ksamilin.

Temperaturat e larta dhe cmimet e favorshme janë dy nga arsyet se përse turistët zgjedhin të pushojnë në muajin shtator.

“Sapo kemi ardhur nga Zvicra. Deti dhe natyra janë shumë të bukura. Uji është i freskët. Ishim në Durrës dhe Tiranë dhe na thanë se Ksamili dhe Saranda janë vende mahnitëse, Maldivet e Shqipërisë, dhe erdhëm ti shohim. Në këtë periudhë të vitit koha është më e freskët dhe çmimet janë më të ulëta. Do të rrimë këtu 14 ditë,” thotë një turiste.

“Kemi ardhur më 3 shtator. Jemi surprizuar nga klima dhe sjellja e mirë e njerëzve. Këtu hahet shumë mirë. Disa plazhe janë më të mëdha, por shumë mirë është dhe kështu. Gjithçka më duket perfekte,” thotë një tjetër turist.

Shtatori në Ksamil është i prenontuar kryesisht nga itaianët, por Albert Sula operator turistik thotë se pritet të ketë më shumë pushues pasi jo të gjithe prenontojnë për muajit e vjeshtës.

“Presim edhe ne 15 ditëshin e dytë të shtatorit të kemi pushues. Jo me prenotime. Më tepër janë pushues që kalojnë këtej. Besoj se do jetë i mirë,” shprehet ai.

Nëse moti do të jetë në favor të turizmit, Ksamili do të presë turistë edhe 10-ditëshin e parë të tetorit duke arritur kështu zgjatjen e sezonit turistik

“Ne pretendojmë që edhe në tetor të punojmë me sa mundësi të kemi. Edhe koha dhe temperaturat janë shumë të mira për plazh. Qëllimi është që sezoni të zgjerohet dhe të mos jetë fluksi siç ndodh zakonisjht në korrik e gusht,por të zgjerohet,” tha ai.

Në vjeshtë Ksamili është një ofertë ekonomike, për pushuesit që duan qetësinë. Të huajit kanë mbushur brigjet e qytezës pas përfundimit të gushtit.