“Territorialja”, deputetja e Sarandës: Propozimi i opozitës, është kthim mbrapa
Kryetarja e Komisionit për Reformën Territoriale, Anila Denaj thotë se nuk ka divergjencë në qasjen e mazhorancës, në atë që është marrja e një ekspertize më të gjerë, pasi mbaruan dëgjesat.
Në një intervistë për MCN Live, Denaj deklaroi se reforma territoriale e domosdoshme dhe e nevojshme dhe në vitin 2014 opozita u largua vetë nga tavolina.
Megjithatë sipas saj, reformës nuk mund të hiqet vlera, për të kaluar nga mbi 300 njësi në 61, ku pjesa më e rëndësishme është ana autonomia financiare
“Bashkitë e mëdha dhe të mesme kanë mbledhur më shumë të ardhura dhe nëse ke më shumë të ardhura mund të bësh më shumë investime dhe shërbime.
Por ana financiare nuk është gjithçka. Performanca e Këshillave Bashkiakë dhe kryetarët e bashkive, është një element që duhet parë dhe shtuar.
Nuk po mohojmë që problematika e përfaqësimit dhe shërbimit në zona të largëta, por duhen parë që të mos jenë investime të caktuara. Problemet nuk zgjidhen duke copëzuar territorin.
Copëzimi i territorit nga ana e opozitës, e çon numrin në një inflacion të panevojshëm. Diskutimi i opozitës për 96-120 bashki, është kthim mbrapa”, u shpreh deputetja e Sarandes.
Denaj deklaroi se do të ketë dy raporte, ai i mazhorancës me rekomandime dhe ai i opozitës, por sa i takon afatit shtoi se shumica e kap afatin fundor të 30 shtatorit, edhe nëse nuk zgjatet afati i punës së komisionit.
Sipas saj, nëse nuk është presioni kohë i diktuar nga zgjedhjet dhe nëse do merret dy javë kohë, do bëhen analizat e nevojshme, por se nëse nuk bie dakord opozita, mazhoranca nuk pengohet.