Sfida ndaj Butrintit/ Kursehet “artileria e rëndë”, Dinamo me ekipin e dytë sot në Sarandë

Dinamo është gati për të nisur rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë.

Pikërisht sot luajnë me Butrintin të parën ndeshje për turin e parë dhe objektivi mbetet një: fitorja. Blutë do të paraqiten në Sarandë thuajse me skuadrën e dytë.

Trajneri Nevil Dede ka vendosur të lërë në Tiranë shumicën e titullarëve, të cilët janë kursyer për sfidën e kampionatit në fundjavë me Tomorin.

Përjashtim bëjnë vetëm mbrojtësit Patrik Fetaj e Alesio Mija dhe mesfushori Redon Danaj, të cilët kanë udhëtuar me ekipin drejt qytetit bregdetar.

Lojtarë si Sabjen Lilaj, Asion Daja, Ilir Allmuça, Eçe Dikson, Ersil Ymeri, Taulant Marku dhe Denison, kanë qëndruar në kryeqytet dhe sot do të vazhdojnë stërvitjen sipas programit.

Pjesë e 18-shes që ka shkuar në Sarandë është edhe portieri Simon Simoni, megjithatë sot me shumë mundësi në fushë do të jetë Edvan Bakaj.

Stafi teknik i Dinamos ka marrë me vete disa lojtarë të rinj, përveç atyre që janë grumbulluar më parë edhe në ndeshjet e kampionatit.

Ashtu siç është bërë me dije ditët e fundit, në ndeshjen e sotme me Butrintin do të kenë hapësirë lojtarët që kanë luajtur pak ose aspak në kampionat, si Diogo da Silva, Ali Samake, Rexhinaldo Artur Faife, Alisio Përloshi, Aurel Marku, Redon Laho, Arb Shala, Françesko Daija e ndonjë tjetër.

Interesant është fakti se për në Sarandë nuk kanë udhëtuar as Ersildio Smaçi, Silvio Vokrri e Jordi Jaku.

Janë lojtarë që trajneri Dede u ka dhënë minuta në pjesën e dytë të ndeshjeve të deritanishme të kampionatit dhe, me sa duket, ka mbetur i kënaqur dhe i do të gatshëm edhe për sfidën e Beratit.

Drejtuesve blu ua jep mundësinë të kursejnë titullarët organika e plotë që kanë. Fakti që brenda 5 ditësh luhen dy transferta dhe kjo e sotmja është goxha e largët, ka bërë që “artileria e rëndë” të qëndrojë në kryeqytet.

FITORJA – Edhe pse në Sarandë mungojnë titullarët, Dinamo e ka vlerësuar maksimalisht ndeshjen me Butrintin dhe do të kërkojë fitoren.

Të udhëhequr nga lojtarët me më shumë përvojë, blutë duan të marrin më të mirën nga kjo ndeshje.

Trajneri Nevil Dede vazhdimisht ka theksuar se Dinamo do të jetë shumë serioze sa herë do të zbresë në fushë, pavarësisht kundërshtarit. Kupa e Shqipërisë është një objektiv i rëndësishëm për blutë, të cilët shpresojnë ta nisin me fitore.