Sarandë-Tiranë me vrap për të promovuar qytetin e lindjes, maratonomaku Alush Çukari: E synoja prej kohësh, në plan të tjera destinacione

“Kam vrapuar që kur kam qenë nxënës në shkollën 8-vjeçare ‘9 Tetori’,”-u shpreh Alush Çukari, maratonomaku.

Është 55-vjeç dhe dashuron vrapimin. Alushi, një maratonmak i lindur në Sarandë, në fillim të shtatorit ka përshkruar distancën nga qyteti i lindjes deri në Tiranë me 8 ndalesa. Një distancë prej 265 kilometrash, me mision promovimin e Sarandës. Maratonomaku mbante veshur një fanellë ku shkruhej ‘Eja në Sarandë’, për të ndihmuar në thithjen e turistëve për sezonin turistik.

“Doja të provoja veten time dhe e realizova. Munda t’ia arrij qëllimit. Mbajta veshur edhe bluzën e Sarandës, pasi doja ta ndihmoja për sezonin turistik. Kishte dhe mbishkrimin ‘eja në Sarandë’,”-tha Alushi.

Në nderim të sakrificës Alushi është pritur me një ceremoni në bashkinë e Sarandës ku u vlerësua për misionin e tij.

“Na ka bërë të gjithëve krenarë dhe ta shikojmë jetën në një tjetër dimension e një tjetër optikë. Të vraposh nga Saranda drejt Tiranës me këtë mbëshkrim është krenari për këdo në qytet,”-deklaroi Adrian Gurma, kryebashkiak i Sarandës.

Për të njëjtin qëllim Alushi ka planifikuar disa vrapime të tjera, por në qytet të ndryshme.